Gangsterët e parkimit në rrugë

14/08/2011 15:30

Rrugëve të kryeqytetit shqiptar, një fenomen i ri po bëhet gjithnjë e më i pushtetshëm.

Frika nga Policia Rrugore apo ajo bashkiake në vendet ku parkimi nuk lejohet është një hiçgjë para asaj që kanë pronarët e makinave në vendet ku parkimi është i lejuar.

Këtu duhet t’i paguash taksë një kaste të re adoleshentësh të rrugëve, të cilët po shndërrohen në një organizatë gjobëvënësish publikë.

Ata kërkojnë nga 100 ose 200 lekë, përndryshe kur të kthehesh të marrësh makinën e gjen të gërvishtur. Fillimisht fenomeni u shfaq në rrugët më të ngarkuara të kryeqytetit, ku gjetja e një vendparkimi është e barabartë me fitimin e një bilete llotarie.

Gangsterët e parkimit gjenden aty duke vendosur madje edhe sende në rrugë, përmes të cilave bllokojnë segmente të rrugës duke i përdorur si parkingje private si kujdestare të rrugëve duke marrë taksën për çdo makinë që ndalon.

Tashmë kjo është bërë një rregullore e pashkruar në rrugët e kryeqytetit dhe qytetarët preferojnë të paguajnë 100 apo 200 lekë më mirë se sa të zëvendësojnë pasqyrat e thyera apo të lyejnë makinat e gërvishtura.

Parkimi i automjeteve në Tiranë ka marrë përmasat e një makthi tashmë për shkak se ky është i vetmi kryeqytet në Europë pa një parking publik, ndërsa epidemia e pushtimit të trotuareve po zgjerohet.

Thuajse të gjithë lokalet dhe bizneset që ndodhen në anë të rrugës, pasi kanë pushtuar me karrige e tavolina trotuaret, kanë pushtuar edhe pjesën e rrugës që kanë përpara, duke vendosur aty arka apo sende të tjera që tregojnë se rruga nuk është më pronë e Bashkisë.

 

Top Channel