Identifikohet gruaja e masakruar

13/08/2011 20:00

Identifikohet kufoma e gruas së masakruar në Korcë, ndërsa policia ka
shoqëruar një të moshuar, me të cilin viktima jetonte prej disa vitesh.

Blutë e Korcës nuk bëjnë publik emrin për arsye hetimi, ndërsa mësohet se viktima është me origjinë nga Devolli. Nuk dihen detaje të tjera as për të moshuarin e shoqëruar në polici.

Horror në Korçë

Gruaja është masakruar pa mëshirë dhe është hedhur në fushën e mbetjeve urbane në periferi të qytetit të Korçës. Që nga orët e mbrëmjes të ditës së enjte, kur janë zbuluar rastësisht gjymtyrë të prera të një kufome të seksit femër në fushën ku hidhen mbetjet urbane, rreth dy kilometra larg qytetit të Korçës, dhe në orët në vazhdim të ditës së premte kur kishte mbetur ende mister ky krim rrëqethës, vrasja me prerje të gjymtyrëve dhe kokës së një gruaje ka qenë ngjarja më tronditëse për opinionin vendas.

Zbulimi i kufomës së prerë në gjymtyrë dhe në kokë, është bërë fare rastësisht, nga banorë të periferisë që punojnë për të mbledhur kanaçe në vendin e hedhjes së mbetjeve urbane në Korçë. Policia tha se është sinjalizuar rreth orës 23:00 të së enjtes, nga persona që sistemojnë mbeturinat urbane të qytetit, për këtë ngjarje të pazakontë.

Në fakt, kanë qenë banorë të periferisë, ata të cilët duke gërmuar nëpër thasë kanë gjetur papritur pjesë të gjymtyrëve të një njeriu dhe pamja tronditëse nuk kishte se si të kalonte pa njoftuar policinë. Burime zyrtare të Policisë së Korçës, bënë të ditur se në afërsi të fshatit Ravonik, pranë fushës së mbetjeve urbane janë gjetur dy thasë të zinj plastikë me gjymtyrë të prera njeriu. Grupi hetimor që shkoi në vendngjarje, ka konstatuar se kufoma e prerë në pjesë i përkiste një njeriu të seksit femër. E gjymtuar në pjesën e këmbëve dhe të duarve, si dhe me kokë të prerë, kufoma nuk është identifikuar edhe pas orë të tëra përpjekjesh dhe sensibilizimi nga policia.

Gjatë ditës së premte, kanë mbërritur në morgun e spitalit të Korçës ku do të kryhej autopsia, edhe mjekë nga Tirana për të bërë të mundur identifikimin e gruas së masakruar. Deri në orët e pasdites së të premtes, nga grupi hetimor, nuk ishte përcaktuar nëse gruaja ka qenë me fëmijë apo jo, pra nëse kishte lindur më parë se të masakrohej barbarisht.

Por, më pas, policia bëri të ditur se nga ekspertiza mjekoligjore ka rezultuar se viktima nuk ka kryer më parë lindje fëmije. Sipas hetimeve gruaja është qëlluar para se të gjymtohej në gjymtyrë dhe kokë me disa thika në trup, dhe këto i kanë shkaktuar vdekjen. Më pas, i janë prerë me sëpatë gjymtyrët e këmbëve dhe duarve, si dhe koka.

Ka të dhëna të policisë, se mizoria e personit që ka kryer këtë akt, ka shkuar deri në prerjen e organit gjenital të gruas 35-vjeçare, duke bërë që të dyshohet se ka qenë një hakmarrje për motive xhelozie apo për lidhje intime të viktimës me ndonjë person tjetër.

Nga verifikimet paraprake, mendohet se vrasja me thikë dhe masakrimi me sëpatë i gruas ende të panjohur, është kryer në 24 orët e fundit, pasi pjesët e trupit të saj nuk kanë pasur shenja dekompozimi. Një burim i policisë së Korçës, tha se trupi i kufomës është hedhur i vdekur dhe i prerë në copa në fushën e mbetjeve urbane në periferi të qytetit, nisur nga fakti që pjesët e gjymtyrëve të ndara në pjesë janë futur në qese plastike të zeza dhe janë hedhur për të fshehur gjurmët në mes të mbeturinave që zakonisht transportohen me makinë afër mesnate në fushën e mbetjeve urbane të qytetit.

Sidoqoftë, policia ka dhënë versionin paraprak të një vrasjeje të gruas, jashtë qytetit të Korçës apo zonës ku hidhen mbetjet urbane, dhe hedhjen e trupit të saj të masakruar në fushën e plehrave për të bërë më të lehtë zhdukjen e trupit të masakruar nga hedhja e përditshme e mbeturinave. E vështirë për policinë e Korçës ka qenë gjetja e kokës së viktimës, e cila nuk është gjetur edhe pas kërkimesh të shumta të kryera ditën e premte. Ndërsa nuk bëhej fjalë për persona të dyshuar në mungesë të identifikimit të viktimës, dhe të vetmit persona që janë marrë në pyetje nga policia kanë qenë personat dhe punëtorët që gërmonin në fushën e mbetjeve urbane si dëshmitarë të gjetjes së kufomës me trupin e coptuar nga sëpata.

Policia vendos shpërblim për informatorët

Policia e Korçës, menjëherë ka bërë apel, për identifikimin sa më të shpejtë të kufomës dhe zbardhjen e krimit makabër, duke vënë në dispozicion të qytetarëve dy numra telefoni.

Policia ka dhënë edhe një përshkrim të jashtëm të viktimës, duke theksuar gjatësinë trupore të saj që ka rezultuar 1 metër e 65 centimetra, racë e bardhë, veshjen me tuta sportive me material sintetik ngjyrë blu, si dhe një kanatiere ngjyrë bojëqielli me mbishkrimin “AC ORIGINAL”.

Policia gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo informacion lidhur me të afërm që ju mungojnë, dhe sidomos për moshë dhe të dhëna të përafërta me viktimën të sinjalizojnë menjëherë për të bërë të mundur identifikimin e gruas së masakruar dhe për të vazhduar më tej me hetimet për zbulimin e autorit ose autorëve të këtij krimi të padëgjuar në Korçë.

Dyshohet se gruaja e masakruar mund të ketë pasur lidhje vetëm me një person që i ka dhënë këtë fund kaq tragjik, ndërsa mendohet se mund të jetë e larguar prej kohësh nga familja, pasi në Policinë e Korçës nuk ka ardhur asnjë sinjalizim për persona të zhdukur kohët e fundit. Pasi ka vënë në dispozicion dy numra telefoni që do të ndihmonin në identifikimin e gruas së masakruar, policia mbrëmjen e së premtes bëri të ditur se vë në dispozicion edhe një shumë prej 10 mijë eurosh, duke ruajtur anonimatin e çdo personi që jep informacione të vlefshme për ngjarjen.

Top Channel