Shqipëria, partneri i tretë i Kosovës

12/08/2011 16:20

Bllokada tregtare me Serbinë ka rritur fort eksportet shqiptare drejt
Kosovës. Të dhënat më të fundit që raporton biznesi kanë tejkaluar edhe
pritshmëritë më optimiste.

“Shqipëria në të kaluarën ka qenë në vend të shtatë dhe të tetë, përsa i përket shkëmbimeve tregtare me Kosovën dhe tani del e treta, pas BE-së dhe Maqedonisë”, thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.

Kryetar i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka u shpreh se ka një rritje të dukshme të nivelit të qarkullimit tregtar dhe kjo rritje sipas informacionit që ne kemi, vjen kryesisht në sektorin e materialeve të ndërtimit.

Mbyllja e kufijve me Serbinë po e ndryshon hartën tregtare të Kosovës dhe biznesi kosovar do ta orientojë tregtinë drejt Shqipërisë.

“Bizneset e Shqipërisë të të gjithë sektorëve të vijnë dhe të qëndrojnë në Kosovë”, tha Shahini.

Megjithë situatën e re të krijuar bizneset sërish ndeshen me pengesa. Muharrem Osmani një prodhues kosovar i detergjentëve thotë se tentativat e tij për eksport në Shqipëri dështojnë nga cmimet e larta referencë që vendos qeveria shqiptare.

Anastas Angjeli, ish-ministër i Ekonomisë thotë se ka ardhur momenti për të politika të reja tregtare që do nxisnin tregtinë mes dy vendeve.

“Një klimë e re, një konfiguracion i ri i strukturës ekonomike dhe tregtare ka krijuar një situatë për të pasur një vizion me perspektiv në drejtim të zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve tregtare”, tha Angjeli.

Ministri kosovar per Zhvillim Ekonomik Besim Beqja thote se qeveria e Kosoves eshte duke ecur ne kete drejtim dhe premton heqjen e te gjitha barrierave.

“Të shkojmë drejt eliminimit të të gjitha barrierave, drejt krijimit të një kuadri ligjor, i cili i mundëson biznesit për t’u zhvilluar, por jo për të dhënë orientim”, tha Beqaj.

Top Channel