Gjirokastër, zjarri dëmton plantacionet

11/08/2011 16:25

11 vatra zjarri janë riaktivizuar sot në të gjithë qarkun e
Gjirokastrës, ku në disa fshatra janë dëmtuar plantacione drurësh
frutore, ullinj dhe vreshta.

Gjate dites se sotme nje zjarr i vënë qëllimisht për të djegur kullotën pranë faqes së malit në Ujë të Ftohtë në Tepelenë ka djegur një masiv me lisa. Zjarrefikëset nuk i janë përgjigjur dot kësaj situate për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe mungesës së mjeteve.Po keshtu zjarre të riaktivizuar pranë fshatrave Andon Poci dhe Cepunë u afruan sot shumë pranë shtëpive. Një tjetër zjarr përfshiu masivin me pisha në hyrje të Libohovës ndërsa banorët në lagjet e sipërme të qytetit njoftuan për zjarre që mund të afrohen në drejtim të tyre nga faqja e Malit të Gjerë.

Zjarrfikeset kanë ardhur në ndihmë të situatës por sipas autoriteteve nëse do të vijohet me këtë ritëm situata mund të dalë jashtë kontrollit. Era dhe temperaturat e larta ka bërë që zjarret të zhvendosen në sipërfaqe mjaft të mëdha duke shkrumbuar qindra ha kullotë dhe pyje në të gjithë qarkun. Policia ka paralajmëruar se zjarrvënia është vepër penale dhe se do të vazhdojë të skedojë për ndjekje penale zjarrvënësit.

Deri tani ka 5 të arrestuar, përfshi dhe personin që u akuzua për zjarrvënien e natës së mbrëmshme që përfshiu disa fshatra në Odrie dhe Lunxhëri. 15 autorë zjarresh po ndiqen në gjendje të lirë.

Top Channel