Ministria e Brendshme padit OJF-në

31/07/2011 15:35

Ministria e Brendshme i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të zgjidhur në rrugë gjyqësore kërkesën e saj për shpërndarjen e një organizate jo fitimprurëse që funksionon në Shqipëri si qendër studimore, pasi sikurse pretendon ministria ka kryer veprimtari anti-kushtetuese dhe anti-ligjore.

Bëhet fjalë për qendrën shqiptare të studimeve të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar paditur nga ministria për mëse 12 episode të kundraligjshme, sipas këtij institucioni.

Konkretisht në padinë e depozituar në gjykatë dhe që me short i ka rënë për shqyrtim gjyqtares Rezarta Vigani, thuhet se “qendra ka tejkaluar kompetencat duke përdorur siglat e Policisë së Shtetit”.

Juristët e Ministrisë së Brendshme pretendojnë në padi se shumë persona janë kapur me një dokument të lëshuar nga kjo qendër dhe që prezantoheshin si punonjës policie të inflitruar apo dedektivë.

Rasti më flagrant, sipas ministrisë, është ai i kunatit të Dritan Dajtit, Ergys Xhoxhaj, i cili gjatë operacionit të shtatë gushtit ku mbetën të vrarë katër punonjës policie, ju gjet me vete një dokument i tillë i lëshuar nga kjo qendër.

Ky dokument i jashtëligjshëm i jepte të riut tagrin e një oficeri policie. Po kështu në Holandë, një të kërkuari shqiptar për trafik droge dhe që më pas u kap në këtë vend për vrasje, iu gjet një dokument i ngjashëm. Në Elbasan, thuhet më tej,  një personi iu kap dokumenti me të cilin  prezantohej si agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Sarandës me një person që u kap duke kaluar kufirin. Edhe në Angli dhe Itali autoritetet e këtyre vendeve kanë njoftuar homologët shqiptarë se kanë ndaluar shtetas të cilët gjatë operacioneve të këtyre policive u janë sekuestruar dokumente të tilla.

Qendra shqiptare e studimeve të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në faqen e saj online prezantohet si një bashkim vullnetar ekspertësh dhe studiuesish me përvojë në luftën kundër krimit dhe të përkushtuar në mbrojtjen e ligjeve të shtetit.

Në këtë faqe thuhet se kjo qendër ka si objektiv mes të tjerash të bëjë kërkime shkencore për prirjet e fenomenet kriminale dhe terroriste, të paraqesë rekomandime për parandalimin e tyre, si dhe të organizojë veprimtari sensibilizuese për informimin e publikut lidhur me problemet e shoqërisë në fushat e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Top Channel