Mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore

31/07/2011 17:00

Përfundimi i procesit ankimor në Tiranë nuk i dha fund procesit zgjedhor të 8 majit. Të dielën është votuar në 10 njësi të qeverisjes vendore ku në 7 prej tyre zgjedhjet duheshin përsëritur për shkak të pavlefshmërisë së shpallur nga Kolegji Zgjedhor, kurse në 3 njësi të qeverisjes vendore zgjedhjet nuk u zhvilluan fare më 8 maj.

Sipas gazetës Shqip, që i referohet zëdhënësit të KQZ-së Leonard Olli, KQZ kishte ngritur grupe pune për të mbikqyrur këtë proces zgjedhor dhe kishte shpërndarë në kohë bazën materiale.

Dështon procesi në Komunën Shalë në Shkodër

Megjithatë, zgjedhjet dështuan të mbahen në komunën Shalë të Qarkut të Shkodrës. Megjithë interesin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor apo edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qendrat e votimit të komunës Shalë nuk u hapën deri në orën 13.00, pra 6 orë pas orarit kur duhet të kishte filluar zyrtarisht votimi. Kjo e con automatikisht në pavlefshmëri këtë njësi, ku zgjedhjet do të duhet të përsëriten sërish. Për dështimin e zgjedhjeve në këtë komunë palët e ineteresuara kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin procesit. Ndërkohë që votimi ka filluar dhe vazhduar normalisht në komunën tjetër të qarkut të Shkodrës, komunën Shllak. Në komunën Shllak ka 6 qendra votimi me rreth 1800 votues gjithsej. Për kryetar komune kandidojne Hilë Kodra i Aleancës për Qytetarin dhe Gjin Marku i Aleancës për të Ardhmen.

Finiq, betejë mes MEGA-s dhe PBDNJ-së

Një tjetër komunë ku rivotohet, është komuna e Finiqit në rrethin e Sarandës, ku përballen për kryetar komune Ziso Mici nga partia MEGA dhe Sokrat Spiro nga PBDNJ. Diferenca e kontestuar prej 4 votash në favor të MEGA-s në zgjedhjet e 8 majit si dhe konstatimi i një radhë shkeljesh që lidheshin me mospraninë e numrave të letërnjoftimit elektronik të zgjedhësve në lista, cuan në përsëritjen e procesit në këtë komunë. Procesi ka filluar normalisht në orën 7.00 në 6 qendra votimi të kësaj komune. Por më pas u bllokua për 3 orë në qendrën e votimit 4628 në fshatin Vrion, ku u konstatua dëmtimi i vulës së qendrës së votimit. Dëmtimi u konstatua në vend edhe prej përfaqësuesve të Komisionit të Zonës së Administrit Zgjedhor, ndaj KQZ nisi me helikopter një vulë të re. Vula u dëmtua për shkak të një pakujdesie në manipulimin e saj. Gjithsesi në të gjitha qendrat e tjera të votimit procesi ka vijuar normalisht, duke regjistruar një pjesëmarrje më të lartë se në zgjedhjet e 8 majit. 20 autobusë me emigrantë mbërritun mëngjesin e së djelës në Finiq për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Elbasan, votohet në dy komuna

Në Qarkun e Elbasanit votohet në komunat Pishaj dhe Papër. Edhe aty procesi ka nisur normalisht. Në Papër votohet vetëm për kryetarin e komunës, sepse këshilltarët komunalë kanë dalë nga zgjedhjet e 8 majit. Ndërsa në Komunën Pishaj të rrethit të Gramshit votohet për kryetarin dhe për këshillin e komunës, pasi në këtë njësi të qeverisjes vendore zgjedhjet nuk u zhvilluan fare. Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve në këto dy komunave u bë një gabim në shtypjen e fletëv të votimit, ku emrat e kandidatëve ishin kryqëzuar me atë të koalicioneve kundërshtarë. Sipas Kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit numër 2447 të Papërit, pjesëmarrja e votuesve pasdreken e së djelës ishte me ritme të ngadalta, por procesi po ecte normalisht dhe pa incidente. Ndërsa në Komunë Pishaj pjesëmarrja e votuesve ishte më e kënaqëshme.

Ersekë, proces normal në Komunën Mollas

Edhe në komunën Mollas të rrethit të Ersekës, Qarku Korcë, rreth 2600 votues i janë drejtuar qendrave të votimit, pas ngatërresës në fletët e votimit të 8 majit, ku këshilltarët e komunës Mollas ishin ngatërruar me ata të komunës Novoselë. Në të 12 qendrat e votimit procesi ka filluar normalisht në orën 7 të mëngjesit. Sipas Ibrahim Osmanit, kryetar i KZAZ të gjitha qëndrat kanë qenë të pajisura me materialin zgjedhor ndërsa votimit ka vazhduar normalisht.

Top Channel