Arrestohen piratët dixhitalë

30/07/2011 15:25

Nga një operacion policor i koordinuar në pesë qytete, 12 persona janë
arrestuar si të dyshuar në piratimin dhe transmetimim në mënyrë të
kundraligjshme të programeve televizive  te disa paketave dixhitale.(UPDATE)

Nëpërmjet operacionit të koduar “Transmetimi 2” policitë e qyteteve Tiranë, Elbasan, Durrës, Gramsh dhe Mallakastër kanë ekzekutuar 20 vendime të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lejimin e kontrollit të ambienteve në disa subjekte tregtare dhe banesa ku zhvillohej ky aktivitet.

Hetimi gjashtë mujor arriti të zbulojë se personat e arrestuar nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit dyshohen si të përfshirë në transmetimin në mënyrë të paligjshme të sinjalit të disa kompanive televizive dixhitale si “Digitalb”, “Tring”, “Sky”, “Nova” etj.

Mes të arrestuarve janë edhe 4 inxhinierë informatike dhe një punonjës policie ndaj të cilëve janë ngritur akuzat si të përfshirë në veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”.

Detajet e operacionit i ka bërë publike zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

“Gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale aparate te ndryshme të klonuara për marrjen dhe transmetimin e sinjaleve televizive, sisteme kompjuterike të përshtatura si servera, për administrimin e rrjetit të transmetimit, njesi kompjuterike, modem,  CD, karta televizive dixhitale te ndryshme”, tha Katragjini.

Zëdhënësja Katragjini deklaroi se ky operacon vijon ende.

“Vazhdon puna hetimore dhe kryerja e të tjera veprimeve proceduriale apo për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë, në këtë aktivitet duke riprogramuar aparatet dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit dhe duke marrë të dhëna në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive digital”, tha Katragjini.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë Top Channel se në pesë rrethe të Shqipërisë është ngritur një task-forcë e cila po heton, individët apo kompanitë kabllore, të cilat piratojnë programet e blera nga kompania ‘DigitAlb’. Të njëjtat burime gjithashtu theksuan se po hetohet edhe krimi shpërdorimit të drejtës së autorit.
Pirateria programeve të kompanisë ‘DigitAlb’ është një problem i kahershëm. Pavarsisht denoncimit të kësaj vjedhje prej të cilës kësaj kompanie i shkaktohem miliona euro dëme ajo vijon. Kohët e fundit shihet  një angazhim i strukturave të policore në bashkëpunim me Prokurorinë për të goditur piraterinë.

Drejtuesit e luftës kundra krimit ekonomik pohojnë, se do të ushtrojnë tolerancë zero ndaj piraterisë në cdo lloj niveli, madje ndëshkime do të ketë edhe për qytetarët që përdorin pajisje apo karta pirate për marrjen e sinjalit të ‘DigitAlb’.

Edhe në projektligjin për median që po shqyrtohet në Komisionin Parlamentar të Medias, grupet e interesit kanë shprehur sugjerimet e tyre për sanksione më të ashpra për kompanitë kabllore që piratojnë.
Pavarsisht se KKRT-ja ka gjobitur në të shkuarën këto kompani, vjelja e gjobave apo ekzekutimi vendimeve ndëshkuese mbetet ende një problem.

Top Channel