Berisha: Rama e ka Topin në xhep

28/07/2011 19:45

Kryeministri Sali Berisha nuk rezervohet më kur flitet për presidentin Bamir Topi dhe beson se ndryshimet kushtetuese, që pritet të kërkojë Partia Socialiste, bëhen për llogari direkte të presidentit Topi.

Opozita nuk ka artikuluar ende në mënyrë të qartë se në paketën eventuale të ndryshimeve kushtetuese do të përfshijë edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Por, sido që të ndodhë, kryeministri Berisha ka qenë më i qartë se asnjëherë tjetër për konsideratën e tij për presidentin Topi, i zgjedhur 4 vjet më parë me votat e demokratëve.

Por fishekzjarret janë shuar prej kohësh dhe tani Bamir Topi cilësohet si presidenti që me votën e tij për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ka faktuar se i përket opozitës.

Këtë konsideratë kryeministri e shprehu kur u pyet nëse pjesë e ofertës së bashkëpunimit me opozitën mund të jetë edhe zgjedhja e presidentit konsensual korrikun e ardhshëm.

“Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Ju e shihni se zoti Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim? Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta”, ka deklaruar Berisha.

Kushtetuta, sipas ndryshimeve konsensuale të realizuara 3 vjet më parë sipas marrëveshjes mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, parashikon shumicën e cilësuar prej 84 votash vetëm për tre raundet e para dhe më pas ai mund të zgjidhet me 71 vota. Mesa duket, këtë formulim demokratët nuk do të jenë të gatshëm ta ndryshojnë.

“Unë u përgjigja se Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo nuk është absolutisht në interes tim apo në interes të qeverisë, por është tërësisht në interesin e rendit kushtetues dhe të qytetarëve. Të kërkosh ndryshime kushtetuese sepse do ta fusësh presidentin gjysmë në xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo? Gjërat duhet të kenë thelbin e arsyes. Çfarë i dha atij Presidenti? 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e tij pro”, ka pohuar Berisha.

Top Channel