BSH kundër qeverisë

27/07/2011 20:35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka rrëzuar vlerësimet e qeverisë se Shqipëria do të ketë këtë vit një rritje ekonomike prej 5 për qind.

“Banka e Shqipërisë gjykon se janë mundësitë që të kapim nivelin e vitit të kaluar, por janë edhe mundësitë që në një afat të mesëm të kapim një nivel më të lartë”, ka deklaruar Fullani.

Vitin e kaluar ekonomia u rrit me 3.9 për qind. Guvernatori thotë se Shqipëria do t’i rikthehet ritmeve më të larta të rritjes në një periudhë afatmesme, pas disa vitesh.

Banka i bazon vlerësimet tek treguesit e gjysmës së parë të vitit. Guvernatori tha se ekonomia po vuan rënien e kërkesës, ndaj u bëri thirrje konsumatorëve të jenë më optimistë.

“Konsumi familjar ka hapësirën të rritet dhe stimulohet në periudhën afatmesme e afatgjatë. Por duhet ta shohim këtë edhe në kontekstin afatshkurtër”, ka nënvizuar Fullani.

Guvernatori i bëri këto deklarata pas mbledhjes së përmuajshme të Këshillit Mbikëqyrës, i cili vendosi ta mbajë sërish të pandryshuar normën bazë të interesit në 5.25 për qind.

Top Channel