OKB, ndihma nga ajri për Somalinë

26/07/2011 09:45

Programi Botëror i OKB-së për Ushqimin do të fillojë ndarjen e ndihmave me avionë për Somalinë.

Kjo do të jetë shpërndarja e parë e ndihmave nga ajri që kur OKB-ja shpalli krizën e urisë në dy zona të Somalisë javën e kaluar.

Ministri i Jashtëm somalez, Mohamed Ibrahim paralajmëroi në samitin e zhvilluar në Romë se mbi 3.5 milionë persona në vendin e tij mund të vdesin nga uria.

Militantët islamikë, të cilët kontrollojnë shumicën e territorit të Somalisë, i kanë ndaluar misioneve të OKB-së hyrjen në zonat e tyre.

Grupi Al Shabab, që është i lidhur me Al Kaedën, ka akuzuar grupet në fjalë se kanë lidhje politike.

Shefi i programit të OKB-së ka bërë të ditur se ndihmat do të shpërndahen nga ajri në kryeqytetin Mogadishu, ku qeveria e dobët e përkohshme kontrollon vetëm disa pjesë të qytetit.

Top Channel