Piramida, takimi i madh i qytetarëve

20/07/2011 19:55

Dhjetra intelektualë dhe të rinj, të mbështetur edhe nga shoqatat e arkitektëve, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e organizata të tjera joqeveritare, do të zhvillojnë në Tiranë të enjten në mbrëmje takimin e madh të qytetarëve për t’u shprehur kundër shembjes së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, të njohur si piramida.

“Është ndër takimet e para të qytetit ku prapa nuk janë partitë. Qytetarët nuk po i thërret një parti për hallin e saj, por po i thërret një hall i tyre, pasi në qytetin ku jetojmë dikush do të na shkatërrojë dicka”, deklaron publicisti Artan Lame.

E dukshme do të jetë edhe pjesëmarrja e të rinjve, të cilët nëprmjet forumeve të ndryshme sociale janë shprehur kundër shembjes së piramidës dhe për kthimin e saj në qendër multikulturore.

“Do ketë filmime, dokumentare të piramidës dhe muzikë. Ne duam ta mbrojmë atë vend dhe njerëzit do të jenë të lirë të shprehen”, sqaron aktivisti Aldo Merkoci.

Takimi i madh i qytetarëve do të nisë të enjten në orën 19:30. Ai do të zhvillohet në sheshin përpara piramidës. Organizatorët thonë se do të firmoset edhe një peticion.

“50 metra larg sheshit ku qytetarët do takohen rri kryeministri. Nëse ka veshë le t’i dëgjojë qytetarët, nëse s’ka le të mos t’i dëgjojë. Por duhet prania e gjithësecilit për të thënë fjalën e vetë”, thekson Lame.

Vendimi për shembjen e piramidës në kryeqytet u mor pak ditë më parë nga deputetët e mazhornacës në Kuvend. Në vend të saj qeveria ka premtuar ndërtimin e parlamentit të ri, për të cilin ka marrë deri tani një hua prej 110 milionë eurosh. Por kostoja e parlamentit të ri ende nuk është bërë publike pasi në ligj nuk është shprehur asnjë vlerë financiare.

Top Channel