Rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës gjendet Shpella e Gadimës. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve shpella e Gadimës është e vjetër rreth 80 milion vjet. Ajo ishte zbuluar rastësisht nga një banor i zonës në vitin 1969.

Vlerësohet njëra ndër pasuritë më të rralla natyrore të Kosovës por edhe Evropës. Shpella e Gadimës është unike në llojin e saj. Sipas vlerësimeve është e vetmja shpellë e Mermerit në Evropë! Shpella përbën një nga mrekullitë e natyrës shqiptare dhe karakterizohet nga stalagmitet dhe stalaktitet ku një milimetër e zgjatjes së tyre kërkon 30 mijë vjet.

Zhvillimi i tyre me miliona vjet ka bërë të mundur që në ditët e sotme aty të shfaqen figura të formave të ndryshme. Ciceronët por, edhe vendasit e zonës figurat e formuara nga natyra i interpretojnë në mënyra të ndryshme.

“Këtë e kemi quajtur Romeo dhe Zhuljeta. Bashkimi i tyre kërkon miliona vjet. Karakteristikë tjetër e tyre është formimi i tyre në anën e kundërt të gravitetit. Brendësia e kësaj perle natyrore të brishtë është e rrethuar me gurëthyes dhe menaxhohet nga individë të cilët me vetëiniciativë pretendojnë se janë mbrojtës të përbetuar të saj”, shprehet Hysen Tasholli, ciceroni i shpellës.

Dëmtimi i shpellës së Gadimës sipas përgjegjësve të shpellës po bëhet nga katër gurthyesit e vendosur përreth. Ndërkohë këta të fundit mohojnë një gjë të tillë dhe akuzojnë përgjegjësit e shpellës duke thënë se janë vetë ata të cilët po e dëmtojnë shpellën.

Pronaret e gurthyesve pranojnë që gjatë gërmimeve kanë hasur në disa labirinte ku mendohet për një shpelle të re. Por, ata mohojnë mundësinë e ndonjë shpelle tjetër.

“Gjatë gërmimit kemi hasur në disa labirinte por, këtu nuk ka shpelle të re. Nuk ka asnjë mundësi që të dëmtohet shpella nga detonimet, por është demtuar nga vetë menaxhuesit e saj”, thekson Hamit Aliu, pronar i gurthyesit.
Zëvendësv ministri i Ambientit thotë se kompanitë e gurthyesve kanë shkelur rregullat dhe kanë dëmtuar këtë zonë të veçantë.

Kjo shpellë miliona-vjeçare i ka bërë ballë “dhëmbit” të kohës por, sot është në rrezik permanent nga mospërgjegjësia institucionale. Vendimi i qeverisë i firmosur nga kryeministri Thaçi dhe shpallja e kësaj zone pasuri e veçantë e cila dhe mbrohet me kushtetutë, duket se figuron vetëm në letër dhe vendim.
Mbase deri ekzekutimin e vendimit konsekuencat do të jenë të pariparueshme.

Top Channel