Cështja e mandatit të presidentes së Kosovës, që ishte produkt i një marrëveshjeje politike disa muaj më parë pas largimit të Behxhet Pacollit, vazhdon të mbetet temë diskutimi në vend.

Ekspertë kushtetues thonë se zonja Jahjaga nëse dëshiron mund të përmbushë mandatin e saj 5-vjecar, që ia njeh ligji themeltar i shtetit.

Një gjë e tillë mund të bëhet pavarësisht se sipas marrëveshjes, presidentja e re do të qëndronte në detyrë deri sa të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme.

“Marrëveshja ishte anti-kushtetuese. Kushtetuta nuk lejon marrëveshje, parashikon në mënyrë eksplicite mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Kemi një marrëveshje që sheh një mandat 1-vjecar. Zgjidhja është dorëheqja e presidentes, e cila nga ana tjetër ka të drejtë të plotësojë mandatin 5-vjecar. Askush nuk ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore të bëjë të kundërtën”, deklaron Abdullah Rrobaj, ekspert kushtetues.

Sipas tij, shkarkimi i saj mund të bëhet vetëm atëherë nëse presidentja kosovare bën shkelje kushtetuese ose është treguar e paaftë për të udhëhequr vendin. Ose me dëshirë jep dorëheqje nga posti.

“Ndryshimet kushtetuese krijojnë pasoja juridike kur hyjnë në fuqi e tutje. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ligje penale, por me Kushtetutën, e cila parashikon mandatin 5-vjecar për presidenten e Kosovës”, shton Rrobaj.

Ndërkohë, këshilltari politik në presidencë Arbër Vllahiu, në një përgjigje elektronike thotë se, presidentja Atifete Jahjaga në asnjë rast nuk do të jetë pengese për zbatimin e marrëveshjes.

Sipas tij, ajo është zgjedhur dhe do te mbetet presidente e unitetit. Por, nuk e thotë në mënyre të qartë nëse do të jepte dorëheqje në rast se kërkohet.

Top Channel