BE: Të shqetësuar nga polarizimi politik

17/07/2011 12:10

Bashkimi Europian është i shqetësuar për polarizimin e situatës politike në vend, ndërkohë që vlerëson paraprakisht se vendimet e KQZ-së, e vecanërisht ato të Kolegjit Zgjedhor, nuk hoqën dyshimet mbi procedurën që u ndoq për numërimin e votave.

“Natyrisht, ne kemi vijuar t’i ndjekim nga afër zgjedhjet lokale të 8 Majit, madje zhvillimet i kemi diskutuar dhe në Këshillin e ministrave të Jashtëm në qershor. Këshilli vuri në dukje me shqetësim polarizimin e situatës. Së fundmi, këtë javë aktualisht, kemi marrë të reja mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor e vecanërisht për argumentimin e dhënë, gjë e cila na mungonte javën e kaluar dhe me të cilin as nuk u ngritën dhe as nuk u fshinë dyshimet tona mbi procedurat që u përdorën për numërimin e votave. Ne besojmë se cfarë nevojitet të ndodhë tani është një reformë e ligjit mbi zgjedhjet dhe e kuadrit legjislativ që lidhet me to. Nevojitet që kjo të bëhet në transparencë të plotë e në mënyrë gjithpërfshirëse”, ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Perfaqesueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Për këtë arsye, BE mbështet idenë e konsultimit të Komisionit të Venecias.

“Ne, si Bashkim Europian, kemi mbështetur gjithashtu propozimin e Këshillit të Evropës që kjo cështje t’i jepet për konsultim Komisionit të Venecias, në mënyrë të tillë që të sigurohemi se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”, ka nënvizuar Kocijancic.

BE përsërit thirrjen për krijimin e kushteve për dialog politik, me fokus në reforma dhe drejt të ardhmes europiane. Vlerësimi për tërësinë e procesit zgjedhor pritet të publikohet në raportin e progresit të Shqipërisë në tetor, pas leximit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.

Piramida

TCH: Shumica qeverisëse votoi në Parlament një ligj për prishjen ndertesës në të cilën Top Channel ka një pjesë të ambjenteve të punës. Që në fillim ju, sikundër dhe qeveria, jeni vënë në dijeni mbi këtë problem. Cili është qëndrimi juaj?

“Kjo është gjithashtu një nga cështjet që kemi monitoruar dhe njohim kompleksitetin e saj, sepse kombinon disa cështje të ndryshme: është liria e medias, është e drejta e pronës, janë aspektet ligjore, është interesi politik. Ajo që duam të shohim ne tani është një zgjidhje për këtë cështje, mbi vendqëndrimin e TCH, në një mënyrë që duhet të jetë transparente, gjithpërfshirëse, e që duhet të jetë po ashtu e qartë ligjërisht”, është përgjigjur Kocijancic.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel