Minatorët, pa rezultat takimi me METE

08/07/2011 11:05

Ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret takimi i zhvilluar mes kreut të sindikatës së minatorëve, Kolë Nikolli dhe zëvendësministrit të METE, Neritan Alibali.

Në një prononcim për mediat pas takimit, Nikolli është shprehur skeptik për plotësimin e kërkesave të minatorëve të Bulqizës, duke paralajmëruar edhe një grevë të mundshme.

“Bisedimet me zëvendësministrin Alibali ishin një fotokopje e takimeve të 3 viteve më parë. Nesër në Bulqizë do të mbahet një protestë e madhe publike, ndërkohë që javën e ardhshme mund të hyjmë në grevë”, ka deklaruar Nikolli.

Kreu i sindikatës së minatorëve, të cilët prej ditësh protestojnë për kushte më të mira në punë, ka theksuar se një nga kushtet kryesore është që sindikata të jetë palë e marrëveshjes.

Top Channel