Kolegji rrëzon kërkesën e PS

08/07/2011 10:15

Për shkak edhe të administrimit një ditë më parë me cilësinë e provës materiale të tabelave dhe materialeve filmike që fiksonin manipulimet e pretenduara, socialistët u paraqitën një ditë më pas jo pa shpresë në Kolegj.

Përvec rikthimit të cështjes së pavlefshmërisë në KQZ për shqyrtim në themel, socialistët i kishin kërkuar Kolegjit edhe shqyrtimin në themel prej vetë Kolegjit.

Kësisoj mundësitë ishin tri: ose t’ia kthente KQZ-së, ose ta shpallte vetë pavleshmërinë dhe kësisoj Tirana shkonte në përsëritje zgjedhjesh, ose të rrëzonte kërkesën.

Në një sallë plot, vendimi i shkurtër i lexuar nga relatorja Sashenka Jonuzi ishte vendimi i fundit që socialistët prisnin të dëgjonin.

“Kolegji Zgjedhor, në bazë të nenit 153, pika 3 e Kodit Zgjedhor, rrëzon si të pabazuar në ligj dhe për shkak të tejkalimit të afateve kërkesën e PS”, ka deklaruar Jonuzi.

Në orën 13.30 Kolegji do të mblidhet për një tjetër cështje ku kërkohet pavlefshmëria, e inicuar nga Partia e Pensionistëve, ku si Partia Demokratike edhe Partia Socialiste janë palë të interesuara.

Por përderisa Kolegji rrëzoi për tejkalim afatesh kërkesën e Partisë Socialiste, gjasat janë që të rrëzojë me të njëjtin argument edhe kërkesën e Partisë së Pensionistëve.

Top Channel