Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar se projektligji për transplantin e indeve, qelizave e organeve, i cili po diskutohet në Kuvend është hartuar në bazë të standarteve të Bashkimit Evropian dhe legjislacionit të vendeve të BE.
I pyetur për debatin që shkaktoi një ditë më parë në komision një prej pikave të projektligjit, kriteret e kryerjes së transplantit, ministri Vasili theksoi se projektligji nuk kufizon aktivitetin në spitalet private dhe se standartet janë të njëjta për të dy sektorët shëndetësorë.
“Është ligji më i përputhur me direktivat evropiane. Sanksionon alternativa të shëndetshme për dhurimin e qelizave apo indeve, si dhe përcakton një sistem të artikuluar në detaje të mënyrës se si do funksionojë në Shqipëri”, ka deklaruar Vasili.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se Shqipëria nuk ka nevojë për debate të cilat prej vitesh janë zhvilluar në botë, por ka nevojë për implementim sa më parë të ligjit, me qëllim që transplantet të jenë të ligjshme.
Për herë të parë diskutohet që në Shqipëri të ketë një bankë me organe, qeliza dhe inde të dhuruara vullnetarisht, për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që kanë nevojë qoftë për transplantin e veshkave, palcës së kurrizit, apo organe të tjera që i shpëtojnë ata nga sëmundje deri më tani të pashërueshme.
Top Channel