Rama: Në PS s’ka luftë destruktive

07/07/2011 19:35

Në një intervistë për radion “Deutsche Welle”, lideri i opozitës Edi Rama ka komentuar zhvillmet e fundit politike në Shqipëri. (UPDATE)

Kryesocialisti ka sqaruar hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë PS nëse Kolegji Zgjedhor do të japë një vendim negativ.

“Hapat tanë janë paralajmëruar. Do të jenë hapat e natyrshëm të një force të madhe politike e qytetare në rrugën e ndryshimit, që Shqipëria pret. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si një rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e përgjithshme do t’i fitojmë si një alternativë e fortë qeverisëse. Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin, pa diskutim këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun e për pushtetin e tij të vjedhur”, ka theksuar Rama.

I pyetur se cilat janë barrierat politike që e bëjnë një koalicion me LSI-në kaq të vështirë, kur bëhet fjalë për dy parti të majta, Edi Rama thotë se fillimisht më e rëndësishme se koalicionet ka rëndësi të kryhen zgjedhje të lira e të ndershme.

“Më 8 maj ne fituam shumë më tepër sesa katër vjet më parë, kur e kishim atë parti në koalicion. Edhe në Tiranë ne fituam pavarësisht stërfuqisë abuzive që na u vu perballë me forcën e shtetit të kapur prej pushtetit e me lumin e parasë së pistë, që u derdh si asnjëherë më parë në një fushatë elektorale shqiptare. Për të fituar zgjedhjet e ardhshme ne nuk na duhen aleanca me forcat e politikës së vjetër që mbajnë peng Shqipërinë”, ka pohuar Rama.

Zërave se në PS ka një luftë të brendshme e destruktive, Rama i ka dhënë këtë përgjigje:

“Në PS nuk ka asnjë luftë të brendshme destruktive, debatet tona për të rënë në një mendje duke shprehur pikëpamje të ndryshme janë pjesë e bashkëjetesës sonë demokratike, ashtu siç janë edhe proceset demokratike zgjedhore, që ne zhvillojmë brenda partisë në bazë të normave të votuara statutore. Demokracia është proces dhe në rrugën e konsolidimit të saj ka natyrshëm probleme, që duhen adresuar me kurajo e aftësi, ka gjithnjë mësime që duhen nxjerrë e ndryshime që duhen bërë. Ne do t’i nxjerrim gjithë mësimet e duhura, duke bërë ndryshimet që na duhen”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja, Rama ka deklaruar se kjo cështje për Partinë Socialiste nuk është e mbyllur, por do të ndiqet deri në gjykatën e Strasburgut.

Top Channel