Kolegji, vendimi në orën 10:00

07/07/2011 14:05

A ka apo jo tagër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shqyrtuar në këto momente pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa qendra votimi në Tiranë?

KQZ mendon se jo, ndaj më 28 qershor refuzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste. Socialistët i kërkuan Kolegjit Zgjedhor që ta detyrojë KQZ-në ta marë në shqyrtim një kërkesë të tillë.

Të paktën formalisht ky ishte thelbi i kërkesë-padisë. Por gjatë parashtrimit të fakteve, Partia Socialiste, gjithnjë duke i qëndruar këtij objekti me natyrë proceduriale, shtoi me gojë edhe kërkesën që nëse Kolegji e sheh të arsyeshme, të vendosë vetë për themelin e cështjes, pra pavlefshmërinë në 284 qendra votimi në Tiranë.

Përpara trupës gjyqësore të përbërë nga Sashenka Jonuzi, Meriban Mullai, Marie Qiriazi, Dhurata Haveri dhe Astrit Kalaja, fillimisht deputeti Damian Gjiknuri argumentoi se KQZ nuk e kishte më tagrin moral pas refuzimit që i bëri shqyrtimit të kësaj cështjeje.

Sipas tij, Partisë Socialiste iu cënua e drejta që i takon një pale për t’u ankimuar. Ai e cilësoi refuzimin e KQZ-së si përtaci. Avokati Eridian Salianji tha se KQZ-së nuk i rakordoi shifrat, por përkundrazi, i thelloi shkeljet.

Ai ilustroi me afishe të mëdha skemën e pretenduar të manipulimit, afishe që socialistët i kishin përgatitur pas këqyrjes së pamjeve filmike nga qendrat e numërimit të votave.

Në fund të parashtrimit të Partisë Socialiste, avokati i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ndërhyri duke pyetur nëse socialistët i qëndronin apo jo objektit të kërkesë-padisë së tyre, pra që kërkesa ankimore t’i kthehej dhe të shqyrtohej në themel nga KQZ?

Damiani Gjiknuri u përgjigj se socialistët i qëndrojnë, por le ta vlerësojë gjykata nëse do qe t’i japë përgjigje edhe themelit të kesaj cështjeje.

Përfaqësuesja e KQZ-së, Deshira Pasko vuri në dukje se pretendimet e pales paditëse nuk jane objekt i kerkese padisë.

Përfaqësuesja e KQZ tha se vendimin e fundit si KZAZ e madhe të Tiranës KQZ e mori më 23 maj dhe afati për kërkimin e pavlefshmërisë përfundoi 3 ditë më vonë.

Top Channel