Kolegji Zgjedhor vijon shqyrtimin e ankimimit të Partisë Socialiste, e
cila kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Partia Socialiste në ankimimin e dorëzuar më 2 korrik kërkon që Kolegji të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të shpallë të pavlefshëm vendimin për Bashën fitues.
Nga punimet brenda mbledhjes mësohet se përfaqësuesit e PS-së kanë theksuar se vendimi i KQZ-së për mospranimin e kërkesës së bërë prej kësaj force politike është arbitrar.
“Ankimimi është e drejta më themelore në një proces zgjedhor. Ankimimi ishte brenda afatit ligjor, 3 ditë nga dalja e rezultatit siç parashikon edhe Kodi”, thanë ekspertët e PS-së.
Përfaqësuesit e PS-së nëpërmjet tabelave ilustruese po i paraqesin Kolegjit shkeljet në proces.
KQZ si palë e paditur dhe PD, si palë e interesuar kundërshtojnë argumentat e paraqitura nga PS në Kolegj. Sipas KQZ-së dhe PD-së, përfaqësuesit e PS kanë dalë jashtë objektivit të gjykimit.
KQZ pretendon se refuzimi i kërkesës së PS erdhi pasi ishte jashtë afateve ligjore. Relatore e cështjes së sotme në Kolegj është gjyqtarja Sashenka Jonuzi, ndërsa trupa gjyqësore përbëhet nga Astrit Kalaja, Meriban Mullai, Marie Qirjazi dhe Dhurata Haveri.
Top Channel