Gjiknuri: Tirana, të shpallet pavlefshmëria

07/07/2011 21:55

Përfaqësuesi ligjor i PS në procesin për bashkinë e Tiranës që po bëhet në Kolegjin Zgjedhor, Damian Gjiknuri ka deklaruar se rruga ligjore e ndjekur nga PS ka shumë pengesa.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Gjiknuri është shprehur se tashmë është më se e provuar se mandati i PS në Tiranë u grabit.

“PS po ndjek rrugën ligjore për një mandat të vjedhur në tavolinë. Mbase një nga të mirat e vendimit të Kolegjit është pjesa kur thotë se procedura e ndjekur nga KQZ ishte ekstraligjore, gjë që ka sjellë këtë deformim të rezultatit”, ka pohuar Gjiknuri.

Sipas tij, vështirësitë që PS po has në këtë betejë janë të mëdha, pasi sistemi gjyqësor ndodhet nën kontrollin e rreptë të kryeministrit Berisha.

“Është e vështirë të konkurrosh me një gjyqësor të kontrolluar nga Berisha, problemet e të cilit i hasin përditë qytetarët”, ka thënë Gjiknuri.

Ai ka nënvizuar se PS druhet se vendimi i nesërm i Kolegjit Zgjedhor mund të jetë në favor të PD, pasi janë të njëjtët gjyqtarë që kanë vendosur edhe në vendimet e mëparshme.

“Gjithë njerëzit që ndjekin këtë proces janë të habitur nga tërheqja e trupës gjykuese dhe marrja e vendimit nesër, kur aty ishin të gjitha provat”, ka nënvizuar Gjiknuri.

“Janë të njëjtët gjyqtarë, por ajo që na shqetësoi ne ishte një tentativë e PD për bashkimin e tre kërkesave tona, që nuk mund të bashkoheshin”, ka vijuar ai.

Juristi i Partisë Socialiste ka vlerësuar më tej se vendimi më i mirë i mundshëm nga Kolegji do të ishte pavlefshmëria e zgjedhjeve, që është sipas tij edhe më realisti.

“Ne kemi treguar prova të qarta përse këto zgjedhje duhet të shkojnë në pavlefshmëri. Kjo jo vetëm që është e sanksionuar në ligj, por edhe rekomandimet ndërkombëtare të cojnë në këtë drejtim”, ka saktësuar Gjiknuri.

“Nuk përmend asnjë njeri mospërputhjet skandaloze që janë hasur gjatë rinumërimit. Kjo tregon se sa e rëndë është situata”, ka shtuar ai.

Top Channel