PS tërhiqet nga “pavlefshmëria”

06/07/2011 15:10

Kthesë e papritur në seancën gjyqësore të Kolegjit ku pritej të
shqyrtohej kërkesa ankimore e Partisë Socialiste për pavlefshmëri.

Kërkesa ishte refuzuar të shqyrtohej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 2 argumenta: e para që KQZ nuk kishte tagër dhe e dyta që pavlefshmërisë i kishte kaluar afati. Pas këtij refuzimi, kërkesa mbërriti në Kolegj. Por një kërkesë për pavlefshmëri kishte paraqitur edhe Partia e Pensionistëve, që është në aleancë me koalicionin e majtë. Dhe pas kësaj edhe vetë Partia Socialiste, në limitet e kohës që i lejonte ligji, depozitoi një tjetër kërkesë ankimore, ku i kërkon Kolegjit që të detyrojë KQZ-në të marrë në shqyrtim atë kërkesë ankimore që KQZ refuzoi, për të cilën në fakt Kolegji ishte thirrur për të vendosur në këtë seancë. Në këto kushte, Partia Demokratike kërkoi bashkimin e të tre kërkesave ankimore, përderisa thelbi mbetej i njëjtë: pavlefshmëria.

Gjyqtaret bëne pak pushim, për t’i dhënë kohë palëve të njihen me kërkesën paraprake të demokratëve për bashkim cështjesh. Seanca rifilloi pas pak minutash me praninë e personave të interesuar dhe gazetarëve. Në këtë moment, avokati i Partisë Socialiste Arian Salati kërkoi pushimin e cështjes. Atypëraty avokati i Partisë Demokratike Ivi Kaso e cilësoi këtë diversion dhe mosbesim ndaj gjykatës. Avokati Salati u kundërpërgjigj se nuk ka përse spekulohet me besimin ndaj gjykates, sepse në bazë të Kodit Civil është disponim kategorik i pales paditëse që të heqe dore dhe kërkojë pushimin e një cështje. Gjykata vendosi kështu dhe cështja nuk u mor fare në shqyrtim.

Në dalje, deputeti Damian Gjiknuri, përfaqësues i Partisë Socialiste në këtë proces, bëri këtë deklaratë: “Ne kemi dorezuar edhe një kërkesë padi tjetër, që ka qenë detyrimi i KQZ-së për të shqyrtuar kërkesën tonë për pavlefshmëri dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë arbitrare nuk e mori në shqyrtim dhe pamë një tentativë proceduriale, nga ana e PD-së, për t’i bashkuar këto cështje dhe për ta futur gjykimin në shtigje tepër të rrezikshme për përfundimin e procesit zgjedhor”.

Nga Partia Demokratike, drejtori i kabinetit i kryeministrit, përfaqësues i PD-se në këtë proces, Oerd Bylykbashi, tha se kjo është një taktikë që synon të zvarrisë procesin.

“Sot jemi përpara një kërkese që ka një vecori. Në mënyrë fare të qartë, publikisht PS sulmoi Kolegjin haptazi dhe tha ‘që nuk kemi besim te ju’. Kështu përkthehet kërkesa e PS-së, që e tërhoqi kërkesën për gjykim sepse kërkon një shans të dytë”, tha Bylykbashi.

Cështja tjetër ankimore e Partisë Socialiste, ajo që i kërkon Kolegjit që të urdhërojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën ankimore për pavlefshmëri, do të gjykohet nga Kolegji të enjten. Nëse Kolegji vendos në favor të Partisë Socialiste, kërkesa ankimore ndjek linjën KQZ-Kolegj. Por nëse rrezohet kerkesa e Partise Socialiste atëhere demokratët janë një hap larg fitores. Në një rast të tillë do të mbeste për t’u gjykuar nga Kolegji vetëm kërkesa për pavlefshmëri e Partisë së Pensionistëve, një ditë më pas, të premten.

Top Channel