Pensionet, “rritja” 4 përqind

06/07/2011 22:35

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore zbardhi masën e saktë me të cilën do të rriten pensionet në fshat dhe qytet sipas vendimit të fundit të qeverisë.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, krahasuar me një vit më parë, kostoja e jetesës është rënduar mesatarisht me 4.2 për qind për shkak të rritjes së cmimeve. Kjo shifër është 0.2 pikë përqindje më e lartë se sa rritja e pensioneve të pleqërisë në qytet dhe një sërë kategorive të tjera.

Kjo do të thotë se këtë vit të ardhurat e pensionistëve në qytet nuk do rriten realisht, por vetëm sa kompesohen nga rritja e cmimeve. Sipas shifrave që jep ISSH rritje reale do të ketë vetëm për pensionet e fshatit të cilat do të shtohen me 7 për qind, një nga rritjet më të ulëta në 6 vitet e fundit, pasi vetë fondi i vënë në dispozcion nga qeveria ishte ndër më të ulëtit këto vite.

Sipas shifrave të bëra publike nga qeveria këtë vit edhe rritja e pagave do të jetë ndër më të ulëtat, ku fondi total shtohet vetëm me 1 miliardë lekë, kur vitet e kaluara ka qenë deri dy herë më i madh.

Pavarësisht pretendimeve në publik, me këtë rritje, qeveria duket se de fakto po i përmbahet rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, atë të rritjes së pagave dhe pensioneve vetëm sa për të kompesuar inflacionin, të paktën për një pjesë të mirë të pensionistëve dhe administratës.    

Top Channel