Në 6 muaj, 57 vrasje

03/07/2011 15:20

Vendi vazhdon të jetë i mbërthyer nga numri i lartë i krimit kundër personit, dhe vecanërisht ai me i rëndi, i vrasjes.

Gjashtë muajt e parë të vitit tregojnë për një shifër të mbi 50 vrasjeve, pothuajse në të njëjtat kuota me atë të vitit të kaluar, i cili në përfundim regjistroi numrin më të lartë të këtij krimi në gjashtë vitet e fundit.

Në vitin 2010 në Shqipëri u regjistrua një numër i madh vrasjesh që i kaloi 115 të tilla, shifër kjo që ka një tendencë të jete e përafërt me vitin në vazhdim.

Por ndërsa vitin e kaluar një pjesë e madhe e vrasjeve ishte krim brenda familjes, viti 2011, po regjistron shifrat më të larta të viteve të fundit për motive gjakmarrje, cka nënkupton një punë jo fort të mirë parandaluese kundrejt krimit nga policia shqiptare, e cila vazhdon të rrisë kapacitetet e saj kundrejt zbulueshmërisë së krimeve dhe pothuajse në më shumë se 90 përqind të rasteve arrin të arrestojë autorët e dyshuar të krimeve.

Nga 57 viktimat me armë zjarri apo mjete prerëse gjatë këtij viti, më shumë se 10 prej tyre janë gra dhe vajza të ekzekutuara nga të afërmit për motive xhelozie apo nderi. Të gjitha vrasjet e grave janë kryer në Durrës dhe Shkodër.

Nëse policia nuk do të arrijë të parandalojë edhe në gjashtë muajt e ardhshëm të këtij viti, krimin e vrasjes, atëherë viti i kaluar i cilësuar si i rastësishëm në analizat policore, nuk do të jetë më i tillë, por do të pasohet nga një tjetër vit, ku kalohet numri i 100 vrasjeve.

Masat e kabinetit qeveritar Berisha e mbajtën shifrën e vrasjeve në Shqipëri që pas vitit 2005, nën kufirin e 100 vrasjeve, por në dy vitet e fundit vendi mbetet i mbërthyer nga krimi i rëndë i cili buron më së shumti nga probleme sociale dhe mentaliteti.

Top Channel