Ngjela: Berisha politizoi rezultatin

30/06/2011 21:45

Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka akuzuar kryeministrin Berisha se përmes kreut të KQZ, Arben Ristani, ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve për Tiranën.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ngjela është shprehur se mospërputhja e numrit të fletëve të votimit me atë të votuesve tregon qartë manipulimin.

“Aritmetikën e ka nxjerrë Ristani. Segmenti politik i PD ka miratuar tabelën, e cila ka më shumë fletë sesa votues. Kanë qenë 400 votues dhe ka 450 fletë. Gjykatës nuk i duhet se kush i ka hedhur ato, ato për gjykatën janë të pavlefshme dhe bëjnë rezultatin e tabelës të pavlefshme”, ka deklaruar Ngjela.

Sipas tij, procedurat zgjedhore nxjerrin një matricë, që parashikon një barazim fletë votimit-votues dhe nëse kjo ndryshon, kutia ku ka manipulime zhvlerësohet.

“Matrica që ka nxjerrë procedura është ky barazim: fletët e hedhura në një kuti duhet të jenë të barabarta me numrin e votuesve. Nëse ka më shumë fletë, atëherë kjo kuti është nul dhe vazhdon të jetë e tillë derisa nuk godet në rezultat. Sepse kur prek rezultatin prish rezultatin e të gjithë procesit. Atëherë këto zgjedhje janë nul, sepse provohet se nuk është vullneti i zgjedhësve”, ka pohuar Ngjela.

“Ky shtet nuk respekton procedurat dhe i shkel ato. Ne kemi paraqitur një procedurë që ka dalë me konsensus dhe mund të prishet vetëm me konsensus. Edhe nëse prishet kështu por pasi ka mbaruar loja, njëra nga palët të bën gjëmën në gjykatë”, ka vijuar ai.

Avokati i njohur ka shtuar më tej se për manipulimin e rezultatit një tjetër provë janë edhe deklaratat e mëparshme të kryeministrit Berisha, që i bënte thirrje kreut të PS që të pranonte rezultatin.

“Ka prova që Saliu ka dashur të manipulojë votat pasi gjatë gjithë kohës i ka bërë thirrje Edi Ramës që të pranojë paraprakisht rezultatin. Rama s’e pranoi, ndërsa ai vazhdonte me cerdhen e vetë që t’i bënte thirrje që ta pranonte, sepse e dinte që e kishte manipuluar”, ka nënvizuar Ngjela, duke shtuar se pas rezultatit të KZAZ-së ka ardhur edhe manipulimi politik.

“Rama doli me 10 vota para me rezultat konsensual dhe jo me rezultat politik. Saliu nuk duhet të fliste fare sepse kishte deklaruar se do të pranonte rezultatin”, ka shtuar Ngjela.

Top Channel