PS: Tani padia në Kolegj

29/06/2011 20:15

Për socialistët, vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të refuzuar ankimimin e tyre është vazhdimësi e procesit antiligjor dhe të deformuar që kërkon të rrëmbejë me cdo kusht mandatin e fituar nga Rama në Tiranë.

Duke bërë një analizë të detajuar të shkeljeve të KQZ, sekretari i cështjeve ligjore Fatmir Xhafaj e cilësoi Lulzim Bashën si njeriun që sipas tij grabit dhe shpëton vetëm përmes procedurave, duke nisur sic tha zoti Xhafaj, nga hetimi i Durrës-Kukës tek 21 janari, dy cështje ku është kapur fort pikërisht pas procedurave.

“Është sërish Basha që kërkon që përmes procedurave ekstraligjore të zbatuara në një proces në KQZ, ashtu edhe përmes procedurave të tjera, të realizojë një tjetër vjedhje”, deklaroi Xhafaj.

Zoti Xhafaj zbuloi edhe disa detaje të ankimimit të ri në Kolegjin Zgjedhor, të cilat sipas tij demonstrojnë manipulimet skandaloze që janë kryer.

“Në 40 qendra votimi, që kanë qenë të balancuara para futjes së duarve nga Ristani, numri i fletëve është i barabartë me atë të zgjedhësve. Këto janë transformuar në kuti të tjera që nuk hyn në kutitë me numër të barabartë, por te kutitë e deformuara. Dhe janë 75 fletë votimi më shumë”, pohoi Xhafaj.

Megjithatë, sipas ish-ministrit të Drejtësisë dhe një ndër drejtuesve të lartë të PS, përgjegjësit e kësaj vjedhjeje një ditë do të përgjigjen para ligjit për shkeljet e tyre.

“Kush ka kontribuar, ose kush është pjesë e këtij krimi, pa dyshim një ditë do të përgjigjet. Megjithatë, unë kam besim se ka gjykatës dhe prokurorë të përgjegjshëm. Por disa individë kanë mbytur vullnetin e tyre”, shtoi Xhafaj.

Top Channel