Gjirokastër, 280 ndërtime pa leje në zonën e “mbrojtur”

24/06/2011 10:40

Kaos ndërtimesh pa leje dhe kriteresh në qytetin dhe Qarkun e
Gjirokastrës. Ndërtimet jashtë kritereve urbanistike për zonat historike
të mbrojtura sikurse është Gjirokastra dhe ndërtimet e tjera pa leje në
trojet publike apo tokat bujqësore i kanë zënë “frymën” jo vetëm zonës
muzeore, por edhe zonave të tjera publike.

Anët e lumenjve, rrugëve dhe më keq akoma edhe tokat bujqësore në Luginën e Drinos dhe të Vjosës janë “pushtuar” nga ndërtimet.

Sipas burimeve nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), janë raportuar rreth 280 ndërtime të kryera pa miratimin e Këshillit Kombëtar në zonën e mbrojtur historike të qytetit.

Ndërkohë që burime të zyrës së ALUIZNI-t në Qarkun e Gjirokastrës, të përfshira në procesin e legalizimeve, raportojnë per “Shqip”, se janë plot 170 ndërtime pa leje të cilat gjenden në zonën historike të Gjirokastrës që kanë kërkuar legalizimin e tyre.

Problemi është bërë tepër shqetësues për ekspertët e monumenteve, pasi sidomos dy-tre muajt e fundit ritmi i ndërtimeve pa leje dhe jashtë kritereve të përcaktuara nga UNESCO dhe ligji për trashëgiminë kulturore, është rritur shumë. Betonierat janë parë të lëvizin gjithmonë e më shumë në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda zonës së mbrojtur.

Ndër kriteret me të cilat është abuzuar më shumë është përdorimi i shtresave të betonit në vend të mureve dhe çative të gurit, vendosja e konstruksioneve dhe profileve metalike në kornizat e dritareve, portat dhe harkatet dhe ajo që tani pothuajse është ligjëruar dhe pranuar si “kriter” është zëvendësimi i rasave të gurit në çati me tjegulla gri ose të errëta.

Mandej në një raport zyrtar të bashkisë bëhet një kërkesë jashtë mase e rrezikshme për të ardhmen e qytetit muze, ku kërkohet që çatitë e ndërtimeve të reja të mbulohen me tjegulla ngjyrë gri, duke e konsideruar këtë gjë si të ngjashme me ndërtimet e vjetra muzeore, brenda koloritit tradicional, si dhe brenda kritereve të kërkuara. Mësohet se nga zyra rajonale e ALUIZNI-t për Qarkun e Gjirokastrës është hartuar një dosje për 170 ndërtimet e reja në zonën historike të qytetit, kryesisht në lagjet “Palorto”, “Hazmurat”, “Meçite” dhe zonat përreth pjesës së pazarit karakteristik.

 

Top Channel