Shëndeti Publik: Pezullim për shitësit ambulantë

23/06/2011 10:10

Shpeshherë neglizhenca e pronarëve të bareve dhe restoranteve në vendin
tonë, bën që kushtet higjieno-sanitare në këto ambiente të jenë të
mjerueshme, për pasojë rreziku që i kanoset popullatës është në nivel të
lartë.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Shëndetit Publik ka intensifikuar kontrollet në baret dhe restorantet e Tiranës. Pavarësisht të shtunës edhe të dielës së pushimit inspektimet e kushteve higjieno-sanitare do të kryhen edhe në fundjavë.

Kjo ka qenë deklarata e kreut të Drejtorisë së Shëndetit Publik, në Tiranë, Mëhill Gecaj, ben te ditur “Shqip”. Ai tha se vetëm në këtë mënyrë do të mund të shmangen problemet shëndetësore për konsumatorët.

Gecaj sqaroi se kontrollet do të shtohen për shkak se ditën e shtunë dhe të diel ka më shumë fluks njerëzish në restorante, por edhe problemet nga helmimet ushqimore janë më në masë.

“Jemi duke marrë ekzaminime dhe mostra laboratorike. Për sa i përket akullores apo fast food-eve jemi duke marrë mostra analiza laboratorike për sa i përket akullit. Kjo do të ndiqet nga ana e Inspektoratit Sanitar Shtetëror. Kemi hartuar edhe një program pune për sa u përket ditëve të pushimit. Të shtunave dhe të dielave besoj që ne do të jemi në terren për të monitoruar, inspektuar të gjitha këto subjekte, të cilat ofrojnë shërbim për komunitetin”, pohoi Gecaj.

Top Channel