Pushohet gjykimi për mjekun Hoxhallari

23/06/2011 09:45

Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen penale në ngarkim të mjekut
Xhevair Hoxhallari, i akuzuar për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti
nga Pogradeci, e cila ndërroi jetë pas një operacioni nga bajamet në
verën e vitit 2008.

I arrestuar me “bujë” nga policia e prokuroria, mjeku Hoxhallari është mbrojtur në gjykatë me të gjitha mjetet, madje ka detyruar organin e prokurorisë që të kërkojë edhe tërheqjen e dosjes nga gjykata me argumentimin e rishikimit të saj. Në këtë mënyrë, sfumohet edhe një tjetër çështje penale apo hetim ndaj “bluzave të bardha” në Shqipëri, ku pafajësia e mjekut Kastriot Dautaj ka sjellë “dorëzimin” e akuzës për këto çështje.

Burime nga Gjykata e Tiranës thanë për “Shqip”, se pushimi i këtij gjykimi është regjistruar disa ditë më parë. Në momentin që do të jepej pretenca për mjekun, përfaqësuesi i akuzës i ka kërkuar gjykatës tërheqjen e akteve të bazuara në nenin 377 të K.Pr.Penale dhe shuarjen e masës ndaluese ndaj të pandehurit Xhevahir Hoxhallari. Ndërkohë, pretendimi i avokatit ka qenë se i pandehuri i kërkon gjykatës pafajësi. Pas diskutimit të çështjes, gjykata vendosi: “Pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Xhevahir Hoxhallari, për akuzën e kryerjes së veprës penale ‘Mjekim i pakujdesshëm’, për shkak se ndjekja penale nuk duhet të vazhdojë. Shpenzimet procedurale në ngarkim të Prokurorisë së Tiranës”.

Top Channel