Klosi: Do vazhdojmë betejën ligjore

23/06/2011 21:35

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka deklaruar se proçesi i numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është i manipuluar dhe se Partia Socialiste do të vazhdojë deri në fund betejën ligjore.

Duke folur në “Top Story” ai ka theksuar se ka një ndryshim të rregullave të lojës në mes të lojës, gjë e konfirmuar edhe nga ODIHR.

“Në çdo moment ne shikojmë përkeqësime në këtë proçes. Në datën 14 u pa që duhej të gjehej një metodë tjetër për të manipuluar votat dhe u gjet një sëmundje e re, ajo e votave të kontestuara. Pra siç thotë edhe ODIHR u ndryshuan rregullat e lojës. Basha po shpallet fitues nëpërmjet një manipulimi të pastër elektoral. Kemi një proçes me shumë të panjohura. Tani nuk ka më ekspertë të huaj që ta zgjidhin këtë punë”, tha Klosi.

“Ne kemi vendosur të vazhdojmë deri në fund betejën ligjore. Pasi është shumë e vështirë të gjenden një njësi ku të ketë përputhje të numrit të votave me numrin e votuesve. Janë fletë të shtuara me dorë dhe në mënyrë të jashtëligjshme. Ne si PS po bëjmë një hetim të pavarur ku po bëjmë llogaritë që tregojnë se ka manipulim. Ne po përdorim disa teorema që janë të aprovuara në rang ndërkombëtar”, shtoi Klosi.

Top Channel