Berisha në takimin e Krans Montana

23/06/2011 19:55

Kryeministri Sali Berisha po qendron në Bruksel, jo vetëm për të marrë pjesë në takimin e rëndësishëm politik të Partive Popullore europiane, por edhe për të qenë i pranishëm në Forumin e Krans Montanës për Azerbajxhanin, një vend ky që për shkak të naftës dhe gazit po kthehet në faktor të rëndësishëm.

Kryeministri Berisha e shfrytëzoi fjalën e tij në këtë forum për të prezantuar potencialet e Shqipërisë dhe për të ftuar sipërmarrësit të investojnë, vecanërisht në fushën e energjisë hidrike.

“Vendimet e fundit të kancelares Merkel, referendumi i fundit i Italisë, që të gjitha kundër energjisë nukleare, i bëjnë burimet energjetike të Shqipërisë realisht shumë të cmuara e të dobishme për investitorët. Tregu energjetik është dhe do të jetë tregu më ‘i uritur’. Por Shqipëria ka një avantazh tjetër të madh. Pozicioni i saj gjeografik e bën vendin të përshtatshëm për t’u shndërruar në një qendër të madhe të prodhimit e shpërndarjes së energjisë. Shqipëria ka platforma të fuqishme ere, të njohura tashmë në mbarë Europën. Pra, ajo ka cdo mundësi për të qenë realisht një superfuqi e vogël energjetike në rajon”, ka deklaruar Berisha.

Duke prezantuar potencialet e Shqipërisë si një ftesë për investitorët, kryeministri Berisha përmendi në forumin e Krans Montanës dhe më pas për gazetarët disa studime të reja për rezervat natyrore të vendit.

“Shqipëria disponon rezerva të mëdha natyrore, të përmasave botërore, në krom, por edhe në naftë, në nikel dhe hekur. Rishqyrtimi i këtyre rezervave nga ekipe e grupe më seriozet në botë dëshmon se për shembull fusha e Bulqizës mbetet një nga 4-5 fushat më të mëdha të kromit mbi tokë, dëshmon se Marinza, me rreth 6 miliardë fuci naftë rezervë, është një nga fushat e mëdha të kontinentit në naftë”, ka pohuar Berisha.

Një nga qëllimet kryesore për Shqipërinë është që të arrijë të përfshihet në projektin e gazsjellësit transadriatik, që nis nga Azerbajxhani në detin Kaspik dhe furnizon me gaz Europën perëndimore përmes detit Adriatik.

Për këtë cështje kryeministri Berisha u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Alijev, i cili ka garantuar se do të mbështesë plotësisht trajektoren që do të kalojë nëpër Shqipëri.

Sipas kryeministrit, realizimi i të gjitha këtyre projekteve dhe shfrytëzimi i këtyre potencialeve kanë si objektiv shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar në vitin 2017.

Top Channel