Kutitë, Wolfarth takon Ristanin

22/06/2011 19:30

Shqetësimet e ngritura nga opozita gjatë procesit të hapjes së kutive në KQZ kanë detyruar kreun e OSBE-së Eugen Wolfarth të zhvillojë një vizitë në këtë institucion.

Transparenca dhe integriteti i procesit të urdhëruar nga Kolegji Elektoral ishte qëllimi i kësaj vizite. Kreu i OSBE-së ka zhvilluar një takim kokë më kokë më kryarin e KQZ-së Arben Ristani.

Ambasadori Wolfarth kishte planifikuar që në takimin me zotin Ristani të ishte edhe nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi.

Nuk dihet shkaku përse zonja Subashi nuk ishte pjesë e takimit, por mësohet se ambasadori i OSBE-së menjëherë pas takmit me zotin Ristani ka zhvilluar një bisedë telefonike me nënkryetaren e KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli tha se gjatë takimit Ristani-Wolfarth është biseduar për ecurinë e procesit dhe se takimi ishte i karakterit informativ. Menjëherë pas takimit, zoti Wolfarth ka dhënë një pronocim të shkurtër.

“Integriteti dhe transparenca janë të një rëndësie të vecantë, prandaj jam këtu. Kisha disa informacione për atë që po ndodh këtu, prandaj edhe doja vetë që të eleminoja cdo lloj komenti në lidhje me këtë”, ka deklaruar Wolfarth.

Kreu i OSBE-së është zyrtari i parë perëndimor që viziton KQZ-në që kur nisi hapja e kutive të shtunën, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Zyrtari i fundit perëndimor që ka vizituar KQZ-në ka qenë kryevëzhguesi i ODHIR-it, Jonathan Stonestreet, një ditë përpara largimit nga Shqipëria.

Zoti Stonestreet e komentoi vizitën si një kuadër të mbledhjes së informacionit për raportin final të ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit.

Top Channel