Topi: Të nisë dialogu politik

21/06/2011 12:20

Presidenti i Republikës Bamir Topi, duke folur për situatën politike në
Shqipëri, vuri theksin te nisja e menjëhershme e dialogut politik mes
paleve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional.

Gjatë një takimi në presidencë me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, kreu i shtetit ndau të njëjtin qëndrim me bashkëbiseduesin, se dialogu politik është dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund t’i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Nga ana e tij ambasadori Sekui theksoi se është shumë e rëndësishme që të respektohen institucionet e pavarura kushtetuese.

“Vetëm zgjidhjet institucionale të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend do t’u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen evropiane”, mësohet të ketë deklaruar Topi, bën të ditur njoftimi i presidencës.

Top Channel