
Shqipëria numërohet e pesta në renditjen e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit. Pas Këshillit të Stabilizim-Asociimit, BE-Mali i Zi, komisioneri për Zgjerim Stefan Fule listoi të gjitha vendet e rajonit, nga më të avancuarat për t’u integruar deri tek ato që kanë nisur t’ia zbehin edhe shpresat BE-së.
“Rregullat e lojës janë mjaft të qarta. Kemi Kroacinë në krye të ngjitjes për në krahun e vendeve anëtare. Me të vërtetë që fundi i negociatave me Kroacinë përkon me fundin e presidencës hungareze, çfarë lejon kështu që të nënshkruhet traktati i anëtarësimit më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stefan Fule, komisioner Europian për Zgjerimin.
“Kemi pastaj ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ku Komisioni ka rekomanduar para ca kohësh që të nisin negociatat për anëtarësim, por mbetet ende një çështje për t’u zgjidhur, çështja e emrit. Pas zgjedhjeve të mira, shpresoj se ai vend do të jetë fokusuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të lejuar kështu vendet anëtare që të përgjigjen për këtë rekomandim të Komisionit”.
“Pastaj është Mali i Zi, për të cilin në opinionin tonë të vitit të kaluar e bëmë të qartë se duhej dhënë statusi kandidat dhe vendet anëtare u përgjigjën. Nëse dhe kur Mali i Zi të tregojë rezultatet për ato 7 prioritete, atëherë hapi llogjik i radhës për Komisionin do të ishte rekomandimi ndaj vendeve anëtare që të çelen negociatat e anëtarësimit”.
“Tani, kemi Serbinë, me dërgimin e Ratko Mlladiç në Hagë, ka një momentum të ri. E di që autoritet serbe po punojnë shumë fort që të sigurohen mirë se rekomandimi nuk do të jetë vetëm për dhënien e statusit kandidat, që përbën vetëm një pjesë të hapit, e di që ata me të vërtetë po punojnë fort që ne të rekomandojmë edhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim, çfarë automatikisht nënkupton dhënien e statusit kandidat”.
“E më pas kemi Shqipërinë dhe ku vitin e kaluar opinioni ynë për Shqipërinë përcaktoi 12 prioritete kyçe e midis tyre ishte dhe ai për zgjedhjet lokale. Gjatë muajve të fundit unë vijoj të mos shoh fundin e këtij ngërçi politik, por shpresoj shumë që nëse partitë politike do të fokusohen në rrugët ligjore për të zgjidhur çështjet e mbetura hapur. Shpresoj se ata do të mobilizohen mbi fokusin e axhendës sonë të zgjerimit, e të shënojnë kështu njëfarë progresi gjatë kësaj rruge që mbetet deri në publikimin e raportit të progresit”.
Pas Shqipërisë, renditet Bosnja me kaosin e saj të 3 qeverive brenda një shteti, e Kosova, shteti më i ri i Ballkanit.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel