FMN, parashikim më i zymtë

21/06/2011 15:15

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përkeqësuar vlerësimin për rritjen
ekonomike të Shqipërisë duke e ulur atë me 0.7 pikë përqindje krahasuar
me variantin e fillimit të vitit.

Top Channel ka mësuar se ekspertët e fondit që kanë mbërritur në Tiranë për rishikimin e buxhetit vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me vetëm 2.7 për qind në terma realë, ndryshe nga fillimi i vitit kur FMN kishte parashikuar një rritje prej 3.4 për qind.

Ecuria jo e fortë e ekonomisë është sinjalizuar gjatë kësaj periudhe nga disa tregues të tërthortë si ai i të ardhurave në buxhet dhe konsumit. Të ardhurat në buxhet janë thuajse në nivelin e një viti më parë duke mos justifikuar dot as rritjen e cmimeve, ndërsa konsumi vlerësohet të jetë në ulje.

Edhe vetë qeveria e ka pranuar se rritja ekonomike këtë vit do të jetë më e ulët nga sa ishte parashikuar në fillim, pasi në buxhetin që pritet t’i dërgojë kuvendit për rishikim e ka ulur rritjen e prodhimit kombëtar nga 5.5 në 5 për qind. Por sërish edhe ky variant është dy herë më optimist nga ai që thotë Fondi Monetar.

Përtej diferencave mes vlerësimeve të qeverisë dhe FMN, fakt është se ngadalësimi i rritjes ekonomike krijon probleme për gjendjen ku është ekonomia. Jo vetëm në ngadalësimin e rritjes së të ardhurave familjare, por edhe tek treguesi i brishtë i borxhit publik, i cili përkeqësohet kur rritja ekonomike është e ulët. Në fakt llogaritë e buxhetit kanë ndryshuar jo pak nga fillimi i vitit, aq sa në zyrat e FMN vlerësojnë se këtë vit vendi do i rikthehet deficitit primar, jo pak por 1.2 për qind e PBB-së.    

Top Channel