Omari: Ndarja e pushteteve, e cënuar

20/06/2011 21:45

Juristi i njohur Luan Omari, në një intervistë në emisionin “Shqip” në Top Channel, ka bërë një skaner të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Duke u ndalur fillimisht tek ndarja e pushteteve, specialisti i cështjeve juridike ka nënvizuar se jo pak herë ekzekutivi kalon cakun e lejuar me ligj.

“Në parim ka ndarje pushtetesh, por tek ne kjo ndarje zbehet për faktin se është tendenca që të forcohet pushteti ekzekutiv. Problemi është që ky fenomen të shkojë tek përmasat e duhura, të mos kapërcehet caku i lejueshëm, që në disa raste është kapërcyer”, ka deklaruar Omari.

Sa për korrupsionin në radhët e drejtësisë, Omari ka nënvizuar se ky fenomen vjen kryesisht si pasojë e kushteve të rënda sociale dhe ekonomike.

“Përse është korrupsioni në drejtësi? Aty ku ka varfëri, ka edhe korrupsion. Në vendet e zhvilluara ka korrupsion, por jo në këto nivele. Vendi ynë, por edhe të tjerë si Moldavia, janë të prekur nga korrupsioni. Gjithashtu, vec korrupsionit, në drejtësi ka shpesh herë mungesë profesionaliteti”, ka vlerësuar Omari.

Ai ka nënvizuar se një tjetër element që ndikon tek korrupsioni në gjyqësor janë interferencat e jashtme, që sipas tij vijnë kryesisht nga qeveria.

“Por ka edhe interferenca të ekzekutivit në punët e gjyqësorit. Ka edhe nga biznesi. Këto elementë zbehin pavarësinë e gjyqësorit”, është shprehur Omari.

Ndërsa përsa i përket Gjykatës Kushtetuese, juristi ka theksuar se ky organ i rëndësishëm i drejtësisë është ndodhur shpesh herë nën presion për shkak të pushtetit të saj.

“Sa për Gjykatën Kushtetuese, ajo është organi që kontrollon pushtetin ekzekutiv për zbatimin e ligjit, ajo është mburojë e demokracisë. Ajo është krijuar në 92-shin dhe në përgjithësi ka qenë profesionale. Në kohët e fundit, kushtetuesja ka anuluar një numër të madh ligjesh. Por ajo është ndodhur nën presionin e ekzekutivit. Qeveritë nuk e duan këtë gjykatë pasi rrëzon ligjet e propozuara nga ajo. Prandaj ka pasur kritika nga qeveritë tek Gjykata Kushtetuese dhe këto sulme janë bërë më të shpeshta kohët e fundit”, ka shtuar Omari.

Top Channel