KQZ, vazhdon hapja e kutive

20/06/2011 23:25

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka vijuar hapja e kutive në zbatim të urdhërit të Kolegjit Zgjedhor. (UPDATE)

Debatet mes kryetarit Ristani dhe përfaqësuesve të Partisë Socialishte ishin prezente gjatë të gjithë procesit të sotëm.

Kulmi i debatit u shënua pak përpara hapjes së kutisë me numër 1789 nga KZAZ-48, e cila ishte e thyer në pjesën anësore të saj. Punonjësit e KQZ sqaruan se thyerja ishte shkaktuar gjatë transportit.

Ky sqarim nuk ishte i mjaftueshëm për përfaqësuesit ligjorë të PS-së, të cilët insistuan se KQZ duhet të hetonte me përparësi përse kutia është thyer pasi sipas tyre KQZ ka dhënë garanci për ruajtjen dhe sigurinë në transportin e tyre.

Kërkesa e përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste ka mbetur vetëm në kuadrin e kërkesës dhe asgjë më shumë, pasi kryetari KQZ-së urdhëroi hapjen e kutisë.

Dyshimet e përfaqesuesve ligjorë të Partisë Socialiste se në këtë kuti ishte ndërhyrë më parë, sipas tyre, janë vërtetuar pasi në këtë kuti mungonte zarfi votave të kontestuara.

Sipas procesverbalit në atë zarf ishin 27 fletëvotimi të kontestuara. Mosgjetja e këtij zarfi në kuti nuk mori përgjigje nga KQZ.

“Integriteti i kutive tashme varet vetëm nga KQZ. Kjo do të thotë që cdo parregullsi që vërehet në KQZ, përfshirë edhe këtë parregullsi flagrante, është një përgjegjësi direkte e KQZ dhe nuk ka asnjë arsye që një kuti e mbyllur me kode të mos ketë atë cfarë shkruhet në procesverbal. Fakti që në këtë kuti mungonte zarfi i votave të pavlefshme, cka është objekt i hetimit të KQZ-së dhe i urdhëruar me vendim të gjykatës, tregon fare qartë se këtu jemi përpara një manipulimi nga ana e KQZ_së”, thotë përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjoncaj.

Hapja e kutive është ndërprerë për disa minuta pasi një prej vëzhguesve të PS-së lexoi gabim i procesverbalin e gjetur në kuti.

Kaq ka mjaftuar që Arben Ristani ta cilësojë atë fillimisht si të padëshiruar në këtë proces. Kërkesa e zotit Ristani është përkrahur edhe nga anëtarja Vera Shtjefni, por kundërshtuar nga zëvendës/kryetarja e KQZ-së zonja, Dëshira Subashi.

Kryetari Ristani nuk e ka pranuar argumentin e zonjës Subashi se propozimi për ta larguar vëzhguesen Anila Cobani ishte i padrejtë pasi ajo nuk bëri asgjë përvec një gabimi njerëzor. Me 4 vota pro zonja Cobani është larguar nga salla e KQZ-së me motivacionin si e padëshiruar në proces.

Gjatë mbrëmjes të së hënës, kryetari KQZ-së Arben Ristani ka patur një debat me zotin Altin Gjino vëzhgues i Partisë Socialiste.

Eridian Salianji, përfaqësuesi ligjor i PS-së ka dënuar vendimin e krytarit Ristani për largimin e vëzhguesit Altin Gjino.

“Ne jemi në proceduri gjykimi dhe hetimi, ai ka marrë dy vendime gjatë ditës së sotme. Ka marrë vendim për nxjerrjen e vëzhgueses së PS-së paradite dhe përfaqësuesit të PS-së pasdite dhe nuk ka marrë asnjë vendim tjetër që i shërben hetimit dhe gjykimit. Roli i tij në këtë sallë është të sillet arrogant me përfaqësuesit e partive, t’i heqë ata dhe ta trajtojë sallën e KQZ-së sikur e ka pronë private të tijën”, thotë avokati Salianji.

Top Channel