“Pushtohet” Gjiri i Lalzit

20/06/2011 20:20

Asnjë nga plazhet private që janë ndarë me gardhe në zonën e Gjirit të Lalzit nuk ka një kontratë të rregullt qeraje me pushtetin vendor.

Ata sillen si pronarë të tokës dhe detit dhe nuk lejojnë askënd të pushojë pa paguar. Në 5 km plazh të Gjirit të Lalzit nuk mund të gjesh asnjë hapësirë publike për të bërë plazh.

I gjithë brezi ranor është zaptuar nga plazhet private, të cilat shpesh janë kthyer në burim konflikti deri në përplasje fizike dhe përdorim armësh të ftohta mes pushuesve dhe të ashtuquajturve pronarë të plazhit. Disa persona janë plagosur me armë të ftohta në të ashtuquajturat beteja për cadrat.

Kjo pjesë e bregdetit të Adriatikut administrohet nga komuna Ishëm, kryetari i së cilës, i mandatuar nga zgjedhjet e 8 majit, Sulejman Ibrahimi, pranon keqadministrimin e plazhit, ndërsa tund këmbanat e alarmit për situatën paszgjedhore, e cila po krijon vonesa në dëm të sezonit turistik.

“Ende s’ka filluar kontrata tremujore. Njerëzit presin të bëhen kontratat dhe pagesat dhe ne ende s’kemi marrë mandatin që të fillojmë punën. Ne presim vetëm që të fillojmë punën”, deklaron Sulejman Ibrahimi.

E gjithë zona është ndarë me tela me gjemba e gardhe, ndërsa në brezin pyjor po zhvillohet një masakër e vërtetë me hedhjen e mbeturinave vend e pa vend.

Situata duket e rënduar vecanërisht për shkak të bllokimit total të pushtetit vendor. KQZ mban peng konstituimin e këshillave bashkiakë e komunalë dhe njëkohësisht menaxhimin e zonave bregdetare prej tyre, pasi ende nuk ka dërguar shkresat me emrat e këshilltarëve në prefekturën e qarkut Durrës.

Në këtë boshllëk, disa persona vrapojnë të vendosin gardhe e kufij me shpresën e legalizimit. Autoritetet janë në kohë për ta shpëtuar këtë plazh nga betonizimi dhe kthimi në një zonë të ndotur si plazhi i Durrësit.

Top Channel