KQZ shtyn aktin për kutitë

17/06/2011 22:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor do të nisë ditën e shtunë procedurat e rinumërimit dhe rivlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara për kreun e Bashkisë së Tiranës. (UPDATE)

Por KQZ-së i duhet më parë të miratojë paradite aktin për mënyrën sesi do të funksionojë i gjithe procesi e më pas ta nisë atë.

Në fakt dita e premte ishte parashikuar si pikënisja e procesit, por shpërndarja e vonë e arsyetimit të Kolegjit Zgjedhor nga ana e administratës së Komisionit ka bërë që përfaqësuesit e PS-së në KQZ të kërkojnë shtyrjen e tij.

“Unë i kërkoj KQZ-së në zbatim të nenit 22 pika 3 e Kodit Zgjedhor, kohën e nevojshme për dhënien e opinionit për këtë akt. Unë kërkoj që diskutimi për këtë projekt të shtyhet për ditën e nesërme”, tha përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj.

“Për mua vendimi Kolegjit, sidomos tani që u zbardh është shumë i qartë për ato që kërkon nga KQZ, çka besoj nuk është e vështirë të vendosim për të organizuar punën që sot”, deklaroi përfaqësuesi i ligjor i PD, Njazi Kosovrasti.

“Nuk ka ndonjë problem në këtë mes, sepse edhe sikur të miratohej sot puna nesër do të niste, ndërkohë që e miratojmë nesër dhe e nisim po nesër. Nisim nesër në orën 10:00”, deklaroi kreu KQZ-së, Arben Ristani.
 
Një ditë më parë në orët e vona të natës Kolegji Zgjedhor ka publikuar arsyetimin e vendimit të marrë për ankimimin e Partise Socialiste në datë 13 qershor.

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar disa vendime të KQZ-së mes të cilave atë 827 në pikat dy dhe tre. Këto dy pika kanë lidhje me mosnxjerrjen e rezultatit të votimit në ZAZ numër 49, ndryshe e njohur si njësia numër 5, ndërsa pika tre ka të bëjë me mosnxjerrjen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të tabelës përfundimtare të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Pika këto të ankimuara nga Partia Socialiste dhe të hedhura poshtë në mënyrë të padrejtë, sic thuhet në arsyetimin e Kolegjit, nga KQZ.

Kolegji më tej arsyeton edhe vendimin tjetër, atë për vlerësimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë e gabuara, pavarësisht se ku ndodhen ato dhe tabulimi i tyre në tabelën përmbledhëse garanton barazinë e votës, shqyrtimin e barabartë dhe të njëtrajtshëm dhe leximin e vullnetit të shprehur nga zgjedhësit.

Vendimi numer 711 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vijon Kolegji, ai që shpalli rezultatin e ndryshuar për Tiranën është në rrjedhojë e veprimeve në kundërshtim me ligjin, pasi ky vendim nuk pasqyron rezultatin e zonës zgjedhore Tiranë.

Vendimet numër 710 të datës 23 maj dhe 711, po të kësaj date janë në kundërshtim me ligjin dhe me faktin se në të dyja rastet, KQZ-ja ka realizuar një procedurë të ndryshimit të tabelave të rezultateve me një vendimmarrje që vjen në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga neni 123 i Kodit Zgjedhor.

Sipas Kolegjit fletët e hedhura gabim deri më datë 14 maj, moment kur përfundoi numërimi i votave për kryetar të Bashkisë Tiranë janë konsideruar nga numëruesit e subjekteve zgjedhore si të pavlefshme e pas kësaj date janë konsideruar si të kontenstuara.

Kolegji cmon se status i këtyre fletëve të cilat nuk janë të kontastuara me parë, pasi me konsensus janë trajtuar më parë si të pavlefshme, të konsiderohen si fletë të kontestuara të panumëruara më parë.

Pikërisht për këtë pikë Kolegji i imponon KQZ të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura për Bashkinë e Tiranës në 368 QV për kryetarin e Bashkisë Tiranë, këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallet tabela përmbledhëse e rezultateve.

Top Channel