Brush: Zbatoni këshillat e BE-së

17/06/2011 19:30

Jennifer Brush drejtore në Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore gjatë një leksioni mbajtur në Tiranë u shpreh qartë dhe prerë.

Pavarësisht në Shqipëri fryma pro amerikane është në nivelet më të larta, kjo nuk do të thotë se për çdo problem të brendshëm, shqiptarët duhet t’i hedhin sytë dhe të kërkojnë zgjidhje nga Amerika.

Sipas diplomates së lartë amerikane, shqiptarët duhet të përqëndrohen në rekomandimet e Bashkimit Europian.

“Ne jemi të lumtur të mbështesim Shqipërinë, por nuk mund të zgjidhim të gjitha problemet tuaja këtu. Dhe jo vetëm kaq. Nuk mund të jeni vendi i 53-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është e mundur. Kjo nuk është e ardhmja e Shqipërisë. E ardhmja e vendit tuaj është t’i bashkoheni familjes europiane. Ne punojmë me Bashkimin Europian në një partneritet me ta, por Bashkimi Europian është një lider në këtë rajon dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Priotiteti juaj si studentë apo profesorë të universiteteve të ndryshme përfshi rolin e politikanëve është të ndiqni rekomandimet e Bashkimit Europian duke ndjekur rrugët më të volitshme në realizimin e aspiratave tuaja europiane”, u shpreh diplomatja.

Zonja Brush, një njohëse e mirë Ballkanit gjatë leksionit me stundentë të shkencave politike nga disa Universitete të Tiranës u ndal edhe në situatën aktuale në Shqipëri.

Ajo është treguar e kujdesshme teksa ka lavdëruar rolin e Shqipërisë në NATO, por është ndalur edhe në një prej çështjeve më të mprehta të aktualitetit politik shqiptarë. Zgjedhjet lokale.

Top Channel