Zallë, kapet 75 kg tritol

16/06/2011 18:55

Drejtoria e policisë së Durrësit dhe forcat e komisariateve të Krujës e Fushë Krujës kanë kapur një sasi të madhe armatimi në një zonë në fshatin Zallë në Fushë Krujë.

Armatimi është një numër i madh fishekësh, gjithsej 3 mijë, disa arka me rreth 75 kilogramë tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, ndezës tritoli, mbi 10 mina anti-tankë dhe 2 predha antitankë.

Policia ka shoqëruar edhe një person si posedues i kësaj sasie të madhe armatimi.

E gjithë kjo sasi armatimi dhe eksplozivi është gjetur në fshatin ku policia prej disa javësh është duke kërkuar autorët e disa shpërthimeve me lëndë eksplozive që kanë ndodhur përreth këtij fshati dhe fabrikës së çimentos.

Prej dy muajsh pothuajse çdo javë persona të paidentifikuar kanë hedhur në erë shtyllat e tensionit të lartë që furnizojnë me energji elektrike fabrikën e çimentos në Fushë Krujë, më pas janë dëmtuar edhe dy ura në rrugët lidhëse tokësore të kësaj fabrike si dhe është dëmtuar rëndë disa herë edhe linja hekurudhore që i shërben kësaj fabrike.

Drejtoria e policisë së Durrësit që mbulon zonën njoftoi arrestimin e 5 personave si të dyshuar për aktet terroriste.

Ngjarjet duket se kanë lidhje në ndërprerjen e kompensimeve që fabrika i jepte një pjesë të banorëve të fshatit Zallë dhe se sulmet me tritol ishin një lloj shantazhi për përfitime financiare.

Policia nuk bën të ditur nëse armatimi kapur ka lidhje me ngjarjet, por sasia e madhe e tritolit është sekuestruar gjatë hetimeve për zbulimin e autorëve të këtyre akteve.

Top Channel