Taksa e shitjes së shtëpive

16/06/2011 16:15

Tre vjet më parë kuvendi i Shqipërisë miratoi me propozim të qeverisë
një ligj, i cili detyron qytetarët që shesin banesat e tyre të paguajnë
tatim mbi të ardhurat.

Sipas ligjit taksa është 10 për qind e diferencës mes cmimit që apartamenti shitet dhe atij me të cilin është blerë disa vite më parë.

Por për shkak të rritjes së fortë të cmimeve për pasuritë e paluajtshme formula prodhon detyrime të rënda tatimore. Më të prekur janë ata që duan të shesin apartamentet e tyre të cilat I kanë blerë më shumë se 5 vjet më parë.

Një apartament i blerë në vitin 2000 kushtonte në atë kohë jo më shumë se 40 mijë dollarë. Por me cmimet e sotme vlera e tij mund të jetë tre fishuar, gati në 120 mijë dollarë. Nëse individi që e zotëron këtë apartament kërkon ta shesë atë, atëherë sipas ligjit ai duhet t’i paguajë shtetit jo pak por plot 8 mijë dollarë si Tatim mbi të Ardhurat. Për shkak se taksa e futi tregun në ngërc duke bllokuar shitjen e pasurive të paluajtshme, qeveria në ligjin për amnistinë ka miratuar një nen që u jep të drejtën individëve t’i rivlerësojnë apartamentet e tyre me cmimet aktuale.

Pas rivlerësimit detyrimi që individët do paguajnë nga dhjetë për qind ulet në 1 për qind. Dhe në rastin e marrë më sipër taksa nga 8 mijë dollarë ulet në 800 dollarë, ulja e cila përfitohet vetëm nëse individët bëjnë rivlerësimin e apartamenteve të tyre, pasi në të kundërt do paguajnë taksën e plotë.   

Top Channel