Shqipëria, pak shanse për BE

16/06/2011 20:15

Pas shkrimit fshikullues të “The Economist”, një panoramë e zymtë e ndjesive që ka nisur të krijojë në Bruksel emri i Shqipërisë, ajo çfarë po ndodh me vendin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është bërë temë e një artikulli të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Tirana me plehra, por pa kryebashkiak” është titulli i shkrimit më të fundit që merr në analizë situatën në vendin tonë, sidomos pas zgjedhjeve lokale të 8 majit.

“Sheshi ‘Skënderbej’, qendra e Tiranës, është kthyer prej muajsh në një kantier gjigand ndërtimi”, thotë autori Karl-Peter Schëarz.

“Rikonstruksioni i tij është shqetësim kryesor për kreun e bashkisë dhe njëkohësisht kryetar të Partisë Socialiste, Edi Rama, njeriu që e ka nxjerrë Tiranën nga apatia postkomuniste duke e kthyer në një prej qyteteve më tërheqëse në Ballkan. Më në fund, shumë nga vështirësitë dhe pengesat u arrit të kapërceheshin dhe projekti është tashmë në zbatim e sipër. Por nga ana tjetër nuk duket akoma fundi i krizës së gjatë politike që nisi me akuzat për manipulim të rezultatit në zgjedhjet parlamentare dhe kulmoi me mosmarrëveshjet për zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë. Kanë kaluar 6 javë nga votimet dhe ende nuk është e qartë nëse Edi Rama siguroi një mandat të katërt, apo përkundrazi, është Lulzim Basha i Partisë Demokratike fituesi”, thuhet më tej.

Edhe ky artikull, evidenton një fakt të thënë në disa raste tashmë:

“Shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në një të ardhme të afërt nuk janë përmirësuar me këto zgjedhje. Mund të duhen vite derisa porta e dhomës së pritjes së Bashkimit Europian të hapet për të, por jo përpara se partitë të bien dakord që të mbajnë zgjedhje korrekte, që votat të numërohen në rregull dhe në kohën e duhur, që të mos intimidohen votuesit e të mos manipulojnë rezultatin. E ndërkohë, pirgjet e plehrave shtohen rrugëve të Tiranës”, thotë artikulli.

“Për sa kohë nuk është e qartë kush e drejton qytetin, zyrtarët e tij kanë lënë punën mënjanë”, theksohet në shkrim.

Top Channel