Ikën deputeti Ilir Beqja

16/06/2011 15:00

Ilir Beqja nuk do të jetë më deputet i qarkut të Shkodrës. Ky është
cmimi që i duhet të paguajë për një tender, që kompania e tij përfitoi
në tetor të vitit 2009, për informatizimin e bashkisë së Durrësit.(UPDATE)

Një vit më vonë, në tetor 2010, Parlamenti votoi papajtueshërinë e mandatit. përpara se të mbërrinte në seancë plenare, cështja u diskutua në komisionin e rregullores, mandatit dhe imunitetit. Demokratët iu referuan nenit 70 pika 3 të Kushtetutës, ku thuhet se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Cështja është se tenderi u fitua përpara se zoti Beqja të bënte betimin në Kuvend.

Në tetor të vitit 2009 socialistët nuk kishin hyrë ende në Kuvend dhe për pasojë nuk ishin betuar si deputetë të legjislaturës së re. Por demokratët përmendën nenin 71 pika 1 të Kushtetutës, ku thuhet se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve, pra KQZ.

Kur cështja përfundoi në seancë plenare më 21 tetor të vitit të kaluar, kjo ishte hera e parë që socialistët morën pjesë në një votim, të cilin ata e konsideruan politike.

Seanca pati dy momente kyc: votimin e socialistëve dhe zbritjen e mazhorancës në 70 vota, duke humbur mazhorancën prej 71 deputetësh. Socialistët pyesnin veten se si do të kishte qenë ky rezultat, nëse votimit do të ishte bërë i fshehtë? Me largimin e Ilir Beqjas mandati i tij i deputetit i kalon personit vijues në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, që është zonja Paulina Hoxha.

Top Channel