Qeveria, llogari FMN-së për buxhetin

15/06/2011 08:00

Herën e fundit kur janë takuar në fillim të muajit nëntor 2010, ministri i Financave, Bode, dhe shefi i Misionit të FMN-së, Bell, ranë dakord që niveli i borxhit duhet të ulet, se me shpenzimet do të tregohej kujdes, kurse të ardhurat duhet të planifikoheshin me objektivitet.

Me pak fjalë, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar u largua nga Tirana i qetë, pasi qeveria e garantoi se do t’i realizonte të tria objektivat. Më herët Bell kishte theksuar se buxheti i vitit 2011 duhet të ishte sa më
realist, pra sa më “me këmbë në tokë”, dhe jo elektoral. Kanë kaluar rreth gjashtë muaj, periudhë e mjaftueshme për të analizuar realizimin e objektivave dhe FMN-ja vjen sërish në Tiranë. Kësaj here misioni paraqitet tepër delikat, për shkak se shefat e FMN-së kanë mësuar se objektivat e lartpërmendur nuk janë realizuar dhe se periudha aktuale e financave shqiptare nuk është në nivelin që Fondi dëshironte.

Këtë javë zbarkon në Tiranë ekipi që menaxhon dhe konsulton ekonomitë e 187 vendeve të botës. Në krye të misionit është Gerwin Bell, i cili njihet për deklaratat e forta dhe të drejtpërdrejta. Në fillim do të takohet me Kryeministrin, pastaj me shefin e Financave, e me radhë me guvernatorin, ministrin e Ekonomisë etj.

Do të ketë takime në rang ekspertësh me institucione si KESH dhe INSTAT. Më interesante konsiderohet padyshim takimi me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit në nëntor të vitit të kaluar, kur i shtrëngoi dorën Bell-it, pasi i premtoi për angazhim drejt disiplinimit financiar, tha për mediat se “qeveria i ka
marrë të gjitha masat për të realizuar objektivat”.

Top Channel