Fule kërcënon: Vazhdoni kështu, mbeteni jashtë Europës

15/06/2011 22:45

“Europa nuk ka plan rezervë për Shqipërinë”. Këtë, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, ia rrëfeu deputetëve shqiptarë gjatë takimit në Bruksel, ndërsa i kërcënonte për t’i lënë pas derës së integrimit, përsa kohë që sjellja mes tyre nuk do të ndryshonte.

Top Channel mundi të sigurojë një pjesë të debatit që u zhvillua me dyer të mbyllura në Parlamentin Europian, ku politikanët tanë u ankuan sërish për kundërshtarët respektivë.

 “Për fat të keq, zgjedhjet për pushtetin vendor kanë përkeqësuar klimën politike e nuk mundën ta kapërcenin atë, në mënyrë që të fillonte me të vërtetë procesi i shtet-ndërtimit të një vendi anëtar. Anëtarësimi në BE, pa kushte, parashikon probleme, kushtet pa anëtarësimin parashikon tradhëti. Ne mbetemi të angazhuar për të vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e vendit mbi politikat partiake dhe besojmë se zbatimi i 12 prioriteteve kyce si dhe prioriteteve të tjera, duke marrë parasysh realitetin e ri që vendi po përballet,  janë thelbësore për Shqipërinë për të ecur përpara me vendosmëri”, tha deputeti socialist, Ditmir Bushati.

“Së pari, do të doja të shikoja nëse zoti Fyle është vënë në dijeni me deklaratën e fundit të zotit Rama, në letrën e hapur të zotit Rama përpara disa ditëve dhe të kërcënimeve që ai i ka bërë deri tani gjyqtarëve. A e keni bërë llogarinë mirë me etikën? Po ashtu do të doja ta pyesja nëse është vënë në dijeni me deklaratën e fundit, të sotme, të bërë vetëm një orë përpara, të zotit Rama, ku jo vetëm që nuk e pranon vendimin e institucionit më të lartë, vendimin e Kolegjit Zgjedhor por në fjalimin e fundit të tij, ai thekson se tashmë rruga e Partisë Socialiste është që të shkohet deri në fund me atë plan që ka nisur, pra që të shkohet deri në rrëzimin e qeverisë”, tha deputetja demokrate, Albana Vokshi,

“Ju jeni anëtare të parlamentit, e ajo që thoni këtu, ju duhet ta ngrini në parlamentin tuaj. Ka shumë gjëra që mund të bëhen në parlament, ku nevojitet një shumicë, e ka gjëra që nuk mund të bëhen pa ju. Ne nuk jemi mësuesit tuaj. Mendoj se ju duhet të veproni për atë që ju jeni zgjedhur, të gjithë ju, në parlament. Ju nuk jeni të zgjedhur në nivel lokal, nuk jeni kryetarë bashkish, jeni zgjedhur për parlamentin, ndaj duhet të shkoni në parlament e të bëni atë cfarë është planifikuar”, u përgjigj Doris Pack, eurodeputete gjermane e PPE-së.

“Duke ardhur tek sjellja ligjore, PO, gjithësecili ndoqi me kujdes zgjedhjet lokale dhe planin e aksionit për 12 prioritetet kyce. Përpara se të mirëpres mesazhin dërguar ndaj kryeministrit Berisha nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland, unë ftoj gjithashtu për dialog të gjitha partitë politike për të përmirësuar më tej kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme, me ndihmën e komisionit, duke rikonfirmuar vullnetin e mazhorancës për dialog me opozitën, për të bërë ndryshimet e rekomanduara nga OSBE/ODIHR dhe vlerësimet e Komisionit në kohë për zgjedhjet e ardhshme”, tha Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

“Si anëtar i Parlamentit, problemi që unë ngre, është nëse leximi i ligjit bëhet në të njëjtën mënyrë nga gjithësecili. Në Shqipëri, kodi elektoral lexohet në dy mënyra të ndryshme, nga i njëjti institucion. Në 2009, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor lexuan ndryshe Kodin Zgjedhor, e tani po e lexojnë atë në mënyrë tjetër. Pra, puna ime,  shqiptarët më paguajnë si një parlamentar, është gabim, sepse ndërkohë ligjet që ne miratojmë nuk po bëjnë punën që duhet. Ky është problemi këtu si parlamentarë që ne po diskutojmë. Shqipëria sot është në një krizë më të thellë se c’ishte përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale. A mund të kemi zgjidhje? Zëdhënësja e qeverisë, Ministrja e Integrimit dha një përgjigje të shpejtë ndaj letrës së zotit Jagland se ne mund të punojmë me Komisionin e Venecias, por për zgjedhjet e ardhshme. JO, ne kemi një krizë tani”, tha deputeti socialist, Taulant Balla.

“Së pari ndaj zonjës Vokshi. JO, JO dhe Nuk e Di. Ju përgjigja pyetjeve tuaja, dakort. Së dyti, Shqipëria është vendi i vetëm ku unë kam kërkuar, si Komisioner, që opozita të pyetej për zgjidhjen e planit të aksionit. Dhe une jam i shqetësuar. Bëhet fjalë për besueshmërinë e procesit.  Nëse ky do ishte plani im B, unë nuk kam në zotërim një plan C. Nëse ju keni një plan D, ajo ju përket juve. Integrimi europian, të cilit ju i përkisni, është këtu. Së treti, do t’ju lexoja raportin e 2007-s të ODIHR, është shumë e rëndësishme. Më lejoni t’ua citoj ‘…u përdorën fletë votimi me ngjyra përafërsisht të ngjashme për votime të ndryshme. Kjo çoi në pështjellim dhe mund të ketë sjellë një numër të konsiderueshëm fletësh votimi të hedhura në kutinë e gabuar të votimit, duke i bërë kështu të pavlefshme’. Kam gjithashtu raportin e ndërmjetëm, që thotë se  logjika  ligjore në vendimin e KQZ-së ishte e paqartë. Nëse më pyesni pse ekziston kjo koincidencë? Nuk mund të them gjë, por mund të them se kam patur disa telefonata  me të dy palët , zotin Sali Berisha, e të tjerë udhëheqës politikë. Për qeverinë, me zotin Sali Berisha, bisedova dhe i thashe atij ‘siguro që zgjedhjet lokale të 8 majit të jenë një gjenerator në teresi’. Ju thashë të dyve, në fakt që të garantohej se zgjedhjet lokale duhej të zbusnin mjedisin,  ishin shumë të rëndësishme. Faleminderit, e  raportoj në tetor. A është kjo ajo që doni? Qeveria? Opozita ? Nëse PO, kështu vazhdoni, nëse jo, mund të ndihmoni me disa indikacione, konsensus a dicka që ngre urën mes jush. Dera ngjitur mbetet hapur. Për ne, në rregull është. Kjo është zgjedhja juaj. Është absolutisht, zgjedhja juaj. Nuk jam unë ai që do të shkojë në BE. Unë jam ai që bën të funksionojë besueshmëria e një mandati, e nuk do ta kapërcej atë linjë. Më vjen keq sepse ekzistojnë vërtet mundësitë”, u përgjigj komisioneri Fule.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel