Bien tre herë investimet e huaja

15/06/2011 15:50

Investimet e huaja neto ranë në tremujorin e parë të vitit me 3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se fluksi neto i kapitalit të huaj që hyri në ekonominë shqiptare në formën e investimeve, në tremujorin e parë ishte vetëm 57 milionë euro, nga 154 milionë që ishte në tremujorin e vitit 2010.

Banka e Shqipërisë vëren se në tremujorin e parë ka ndodhur një fenomen i pazakontë me fluksin e kapitaleve të huaja, që nuk ishte vënë re ndonjëherë më parë në ekonomi, dhe që ka të bëjë më rikthimin mbrapsht të fondeve të destinuara për investime.

Sipas bankës, në periudhën janar-mars, në Shqipëri hyne 173 milionë euro si investime të huaja, por më shumë se 115 milionë euro, u transferuan sërish jashtë. Sipas të dhënave, dalja më e madhe e kapitalit është regjistruar në muajin shkurt, menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, ku kompanitë e huaja që bëjnë biznes në Shqipëri transferuan tek kompanite e origjines, mbi 94 milionë euro.

Dhe këto para nuk janë transferim fitimesh, por fonde të mbërritura në Shqipëri për investime, të cilat nuk u investuan për shkak të situatës të paqëndrueshme politike. Duket sikur kriza e tejzgjatur politike e ka vendosur biznesin në një situatë pritje, duke pezulluar investimet, cka tashmë po konfirmohet edhe nga shifrat e buxhetit. Në 5 muajt e parë qeverisë i munguan mbi 70 milionë dollarë nga taksat, që sipas ekspertëve reflekton ngadalësim të ekonomisë.

Top Channel