Vazhdon terrori në Fushë-Krujë

13/06/2011 20:00

Në dy muajt e fundit në Fushë Krujë janë konsumuar veprat më të rënda penale të kodit shqiptar, shkatërrimi me lëndë eksplozive i urave, shtyllave të tensionit të lartë, si edhe së fundmi i linjës hekurudhore.

Vepra aq të rënda penale sa nuk mund të ndodhin as në kohë lufte në një periudhë kaq të shkurtër kohore.

Dhe të gjitha këto ngjarje që mbulohen nga një rajon i vogël policie, që ka një pistë të mundshme, atë të sulmit ndaj fabrikës së cimentos, pasi të gjitha kryhen për t’i prerë cdo mundësi funksionimit të saj.

Pronarët e fabrikës nuk pranojnë të japin asnjë sqarim publik në lidhje me ngjarjet e rënda në seri. Deri para pak kohësh, prej pronarëve të fabrikës u ndaheshin familjeve për shkak të ndotjes nga 30 mijë deri në 60 mijë lekë të reja për cdo shtëpi që është afër me të.

Ky kompensim është ndaluar dhe pak ditë pas njoftimit të ndërprerjes së saj filluan shpërthimet me eksploziv, plot 14 të tilla vetëm në vitin 2011.

“Problemet që ka shaktuar fabrika i kam paguar vetë. Tani i kam ndaluar dhe kanë filluar shqetësimet, tritoli e këto gjëra”, tregon Afrim Zalla.

Duket se policia është inekzistente në këtë zonë, që edhe pse e ka nën mbikëqyrje nuk arrin dot të kapë asnjë prej autorëve.

Para pak ditësh policia arrestoi pesë të dyshuar, por këto masa të policisë u pasuan nga atentate të tjera. Policia bëri sërish arrestime, por edhe pse të gjithë këta të dyshuar ndodheshin në burg, u hodh në erë një tjetër urë, si dhe mbrëmjen e së dielës së shkuar edhe linja hekurudhore.

Pasi dëgjon banorët e kësaj zone, gjithcka të shkon në mendje se policia thjesht ndalon të dyshuarit e përhershëm, pa dërguar askënd në gjykatë si të akuzuar.

Afrim Zalla thotë se shoqërohet pa të drejtë shpesh herë nga policia dhe thotë se, sa herë dëgjon shpërthime pret që policia të vijë dhe ta marrë bashkë me komshinjtë.

“Shkova nga ora 5 e 10, shkoi ora 12 dhe s’më mori njeri në pyetje. Në 12 e gjysmë filluan veprimet, nënshkrova disa letra 5-6 herë. Dje ndodhi shpërthimi dhe erdhi policia më mori. Nuk di c’të bëj”, deklaron Zalla.

Që në ditën e përurimit të kësaj fabrike u paralajmërua një bashkëjetesë e vështirë mes banorëve të kësaj zone dhe biznesit që administrohet nga një kompani libaneze.

Rrugës ku do të kalonte kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, për të marrë pjesë në hapjen e saj, u vendos një sasi eksplozivi që ngriti siparin e atentateve që vazhdojnë.

Top Channel