Berisha: Shqipëria, klimë të favorshme për bankat

07/06/2011 09:45

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qeveria është përpjekur të krijojë një klimë të favorshme për bankat, duke theksuar se shumica e bankave në Shqipëri janë të huaja.

Ai deklaroi në konferencën vjetore të përbashkët për bankat e rajonit se në kuadër të krizës financiare është shumë e rëndësishme dhënia e kredive dhe financimi nga bankat i projekteve për shdërrimin e Shqipërisë si një vend të zhvilluar.

Kryeministri bëri thirrje për rritjen e investimeve në zonat malore duke premtuar se qeveria do të nxjerrë shumë shpejt një ligj që do përjashtojë për 8 vjet nga taksat ata që investojnë për turizmin malor.

“U përpoqëm të vendosim një kuadër ligjor sa më të përshtatshëm për bankat. Bankat në Shqipëri janë të gjitha të huaja, pasi kanë gjetur një klimë të favorshme. Ëndrra e çdo shqiptari është ‘Shqipëria vend zhvilluar’. Ajo ka të gjithë potencialet për ta arritur këtë objektiv dhe këtë mund ta bëjë falë investimeve në mbarë vendin. Koncepti i qeverisë shqiptare është që Evropën ta ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë”, theksoi Berisha.

“Qeveria do të nxjerrë një ligj që parashikon 8 vite pa asnjë taksë për ata që investojnë në zonat turistike malore të vendit… Kulmi i krizës ka kaluar, por sërish borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo detyron dhe imponon një qendrim të ri. Ky qendrim i ri kërkon që qeveritë të bëjnë çdo gjë për t’i ulur ato duke zvogëluar në mënyrë të pamohueshme, portofolin investues të qeverive. Në këtë pikë roli i bankave dhe kredive bëhet më i rëndësishëm”, theksoi Berisha.

Top Channel