Tregtia, “cmendet” Euro

06/06/2011 15:30

Leku vazhdon të zhvlerësohet ndaj Euros duke shënuar të tjera rekorde
historike. Në fundjave monedha europiane kaloi për herë të parë në
tregun e brendshëm valutor edhe nivelin 142.5 lekë, një rekord i
pashënuar më parë.

Monedha europiane është këmbyer në nivele të larta ndaj Lekut edhe në këtë fillim jave. Aktualisht një Euro këmbehet në tregun e brendshëm sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë mesatarisht me 142.55 lekë duke tejkaluar rekordin e vendosur në fillim të majit ku vlera e një euro në treg arriti në 142.46 lek.

Që nga fillimi i vitit tendenca e kursit Euro-Lek ka qenë në favor të monedhës europiane. Krahasuar me fillimin e vitit një Euro kushton në treg rreth 4 lekë më shumë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë një Euro blihet dhe shitet rreth 6 lekë më shtrenjtë.

Tendenca e përgjithshme e Lekut ndaj Euros është ajo e zhvlerësimit pavarësisht lëvizjeve momentale të kursit. Vec ecurisë së kursit Euro-Dollar në tregjet ndërkombëtare ekspertët e bankave thonë se deficiti i lartë tregtar bën që kërkesa për Euro në treg të jetë gjithmonë e lartë. Por nëse vitet e kaluara kërkesa e lartë është përballuar nga oferta, që mbështetej fort edhe nga kredia që bankat jepnin në monedhën europiane, dy vitet e fundit kjo situatë ka ndryshuar.

Rënia e fortë e kredisë në Euro bën që në treg të ketë mungesë të valutës duke sjell kështu zhvlerësimin e Lekut. Euro e fortë mund të jetë avantazhuese për eksportet shqiptare por ajo ka dhe kosto. Përvec shtrenjtimit të importeve dhe rritjes së cmimeve në tregje, zhvlerësimi i lekut ndaj euros prek direkt edhe buxhetet e atyre familjeve që kanë kredi në këtë monedhë. Për një individ që shlyen një kredi me këst mujor prej 350 euro fatura vetëm si pasojë e kursit është rënduar me rreth 2100 lekë shtesë në muaj.

Top Channel